UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Pjesë e kësaj liste u bënë gjithashtu kryeqytetet e lashta japoneze, Asuka dhe Fujiwara, Peizazhi Migrator Boma-Badingilo i Sudanit Jugor, si dhe plazhet e zbarkimit të Luftës së Dytë Botërore në Francën Veriore.
Përpjekjet e Greqisë për Olimpin që prej vitit 2014
Me një lartësi prej 2.918 metrash, Olimpi konsiderohet në mitologjinë greke si froni i Zeusit, mbretit të perëndive, teksa njëkohësisht është një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Evropë.
Prej vitesh, Greqia i ka kërkuar UNESCO-s përfshirjen e Malit të Olimpit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Aplikimi i parë u dorëzua në vitin 2014, duke u mbështetur si në rëndësinë e tij kulturore dhe mitologjike, ashtu edhe në vlerat e jashtëzakonshme natyrore.
Zona u shpall Parku i parë Kombëtar i Greqisë në vitin 1938, për shkak të peizazhit unik, që përfshin pyje të dendura, livadhe alpine, gryka, kanione dhe burime ujore, të gjitha shumë pranë bregdetit. Sipas Homerit, maja e Olimpit ishte “selia e të pavdekshmëve”, vendi ku Zeusi ushtronte pushtetin e tij.
Qyteti më i afërt me malin është Litochoro, vetëm pesë kilometra larg plazheve të Egjeut. Në vitin 1981, UNESCO e shpalli Olimpin Rezervë të Biosferës, ndërsa në vitin 2021 zona fitoi mbrojtje shtesë, duke u shpallur park kombëtar.
Vetëm vitin e kaluar, zona u vizitua nga rreth 500 mijë turistë, e tashmë autoritetet greke presin rritje të numrit të vizitorëve. Shkak për këtë rritje, nuk është vetëm futja e malit në Listën e Trashëgimisë Botërore, por dhe nga filmi “The Odyssey”, i regjisorit Christopher Nolan, një pjesë e së cilit u xhirua në shtetin fqinj.
Autoritetet greke kanë theksuar rëndësinë fetare të kësaj zone, për shkak të një shenjtëroreje në një nga majat më të ulëta të malit. Besohet se kjo është shenjtërorja e përshkruar nga Plutarku në shekullin II pas Krishtit, ku kryheshin flijime në nder të Zeusit.
Në malin Olimp ndodhet edhe kapela ortodokse e krishterë në lartësinë më të madhe në botë, ndërsa në shpatet e tij gjenden manastire bizantine dhe objekte të tjera kulti.
Plazhet që ndryshuan rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore
Përfshirja në listë përfshin pesë plazhet e zbarkimit në Normandi: Omaha, Utah, Sword, Gold dhe Juno, si dhe zonën e sulmit në Pointe du Hoc. Pikërisht në këto vende, më 6 qershor 1944, më shumë se 150 mijë ushtarë aleatë zbarkuan për të nisur ofensivën që çoi në çlirimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Vendet (ICOMOS), organi që vlerëson kandidaturat për UNESCO-n, theksoi se këto zona ruajnë ende gjurmë të shumta të luftës, përfshirë fortifikime gjermane, peizazhe të dëmtuara nga bombardimet, struktura portuale të ndërtuara nga aleatët dhe anije të fundosura.
Sipas ICOMOS, këto vende përfaqësojnë një ngjarje që konsiderohet gjerësisht si momenti që bëri të mundur rikthimin e lirisë dhe hodhi themelet e një paqeje të qëndrueshme në kontinentin evropian.
ICOMOS bëri thirrje gjithashtu për forcimin e masave të monitorimit dhe mbrojtjes së këtyre zonave, duke paralajmëruar se ato përballen me rreziqe nga turizmi në rritje, ndryshimet klimatike, ngritja e nivelit të detit dhe zhvillimi i parqeve me turbina ere pranë tyre.
Asuka-Fujiwara, dëshmi e historisë së hershme të Japonisë
Kompleksi përfshin rrënojat e Pallatit Asuka dhe Pallatit Fujiwara, i cili pasoi Asukën si kryeqytet i Perandorisë Japoneze. Pjesë e tij është edhe varri Takamatsuzuka, i njohur për afresket e tij shumëngjyrëshe, të cilat janë shpallur Thesar Kombëtar i Japonisë.
Asuka-Fujiwara u përfshi në Listën Paraprake të UNESCO-s në vitin 2007. Megjithatë, u deshën vite për të dëshmuar “vlerën e jashtëzakonshme universale”, kriter ky thelbësor për t’u regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore, si edhe për të krijuar masat e nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij kompleksi historik.
Boma-Badingilo, shtëpia e migrimit më të madh të gjitarëve në botë
Përveç vlerave natyrore, Boma-Badingilo pasqyron edhe diversitetin kulturor dhe gjuhësor të rajonit. Prej shekujsh, madje mijëvjeçarësh, disa grupe etnike kanë qenë kujdestarë të këtij peizazhi, duke jetuar përmes blegtorisë, bujqësisë dhe peshkimit.
Megjithatë, Komiteti i UNESCO-s ka ngritur shqetësime serioze për kërcënimet me të cilat përballet kjo zonë. Ndër rreziqet kryesore përmenden zhvillimi i infrastrukturës, gjuetia e paligjshme për qëllime tregtare, trafikimi i kafshëve të egra dhe tregtia e tyre, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në popullatat e mëdha të gjitarëve migrues.
UNESCO thekson gjithashtu se pasiguria e vazhdueshme në rajon, si dhe mungesa e kapaciteteve institucionale dhe financiare, e vështirësojnë mbrojtjen dhe ruajtjen efektive të kësaj pasurie natyrore me rëndësi botërore.



