TIRANË- Pavarësisht kundërshtive, kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh i vendosur për ta çuar përpara “Paketën e Maleve”, nismë kjo, e cila sipas tij do t’i japë një hov të shtuar investimeve në vend.
Analisti Martin Leka, theksoi në “News Line” se jo çdo nismë apo plan zhvillimi i qeverisë duhet të kundërshtohet apriori, por këto plane duhen parë me detaje se çfarë realisht përfiton komuniteti apo shoqëria prej tyre.
Ai theksoi se mbi 99 % e personave që janë në protestë nuk e kanë idenë se çfarë përmban “Paketa e Maleve”, e cila po kundërshtohet prej tyre.
Sipas Lekës, një e mirë e shoqërisë nuk mund të pengohet nga një grup i caktuar dhe se nuk mund të mbajnë qëndrime në dëm të banorëve që presin të zhvillojnë ekonominë e tyre përmes kësaj qasjeje.
“Protesta është bërë kaq kaotike, sa çdo nismë të qeverisë, çdo gjë që thotë Edi Rama dhe mazhoranca, konsiderohet se është kundër tyre dhe është kundër Shqipërisë. Për Paketën e Maleve, mendoj se të gjithë ata që janë në protestë, besoj se 99.9% e tyre, nuk dinë se çfarë është Paketa e Maleve.
Nuk duhet apriori të kundërshtohet Paketa e Maleve. Ajo duhet njohur në tërësi. Protesta nuk mund të kundërshtojë apriori diçka që është në të mirë të shoqërisë dhe në të mirë të banorëve që jetojnë në këtë hapësirë që përfshin Paketa e Maleve. Një pjesë e protestuesve dhe atyre që quhen liderë të protestës krijojnë një lloj asambleje, si ato të dikurshmet, asamble popullore apo kuvende.
Ka një lukuni qëndrimesh, sa askush nuk e kupton se cili është qëndrimi i përbashkët, dhe kjo tregon se pjesa horizontale e protestës është totalisht e dështuar. Në këtë kuptim, nëse nuk organizohet vertikalisht, që do të thotë se disa njerëz të marrin përgjegjësi për ata që dalin në shesh dhe të artikulojnë rrugët se si duhet të dilet për të gjetur zgjidhje, atëherë protesta mbetet pa drejtim. Kur nuk ke kërkesa të institucionalizuara që të çojnë në zgjidhjen e situatës, çdo gjë duket si një gotë bosh”, tha ai.
Ai theksoi se protesta e ka përmbushur efektin e saj pasi edhe te mazhoranca ka zgjuar ide dhe reflektime.
“Rama ka thënë atë që, në fakt, e kemi vënë re edhe ne, sepse në një shtet apo një sistem që opozita dhe shumë nga protestuesit e quajnë narkoshtet, të protestohet për mbi 50 ditë poshtë zyrës së kryeministrit, jo vetëm duke e kritikuar, por edhe duke e sharë, e më pas të thuhet se kemi diktaturë, kjo është absurde.
Paradoksi është se, ndërsa në Shqipëri protestohet para zyrës së kryeministrit, po ky kryeministër shkon në Bruksel dhe mbyll tre grupkapituj të negociatave me Bashkimin Evropian, njëri prej të cilëve lidhet me çështjet e mjedisit dhe natyrës. Protesta tashmë ka bërë efektin e saj; ka zgjuar ide dhe reflektim nga ana e mazhorancës.”, theksoi ai/ abcnews.al



