Dy persona mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë që ndodhi mëngjesin e së martës pranë hyrjes jugore të zonës arkeologjike të Akropolit në Athinë, përballë Muzeut të Akropolit.
Sipas mediave greke, alarmi u dha pasi një kalimtare njoftoi policinë për një burrë që mbante një thikë dhe kërcënonte njerëzit në zonë. Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët zbuluan se ai kishte sulmuar pa asnjë shkak një çift greko-amerikan.
Si pasojë e sulmit, gruaja pësoi plagë të lehta në këmbë, ndërsa burri u plagos rëndë dhe, pasi humbi shumë gjak, u transportua në spitalin “Kryqi i Kuq”, ku po merr trajtim mjekësor.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet e urgjencës, të cilat u dhanë ndihmën e parë të plagosurve.
Autori, një 60-vjeçar që sipas autoriteteve vuan nga probleme psikologjike, u neutralizua dhe u arrestua nga policia e Athinës.
Burime policore bëjnë të ditur se i dyshuari ka precedentë penalë. Ai ishte arrestuar edhe në qershor të këtij viti për fyerje në zonën e Kypselit, ndërsa në vitin 2019 ishte ndaluar në sheshin Sintagma për mbajtje të një thike. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.



