Muajin e mjaltit vendosën ta kalojnë në një vend për të cilin deri pak muaj më parë dinin shumë pak. Sot, pas dy ditësh në Shqipëri, thonë se kanë gjetur një nga destinacionet më të bukura që kanë vizituar ndonjëherë.
Ky çift i ri nga Shtetet e Bashkuara ndodhet për herë të parë në Europë dhe ndalesën e parë e ka bërë në luginën e Valbonës, aty ku natyra dhe ujërat e kristalta i kanë lënë pa fjalë.
Historia që i solli deri në Alpet shqiptare është po aq e veçantë sa edhe vetë udhëtimi. Shqipërinë nuk e zbuluan nëpër guida turistike, por nga dy udhëtare skoceze që kishin përshkuar gjithë Europën. Kur i pyetën se cili ishte vendi më i bukur që kishin vizituar, përgjigjja ishte e menjëhershme: Shqipëria.
Nga Valbona, itinerari i tyre do të vijojë drejt Thethit, për të eksploruar shtigjet malore dhe peizazhet alpine që çdo vit tërheqin mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Mes freskisë së lumit dhe panoramës së maleve, Valbona vijon të jetë një nga destinacionet më të kërkuara të kësaj vere. Çdo ditë, lugina mirëpret turistë vendas dhe të huaj që zgjedhin ta përjetojnë natyrën larg zhurmës së qyteteve.
Edhe për këtë çift nga Tirana, zgjedhja ishte e qartë. Në vend të plazhit, vendosën të festojnë një ditë të veçantë mes bukurisë së Alpeve shqiptare.
Me fluksin në rritje të vizitorëve dhe interesin gjithnjë e më të madh të turistëve të huaj, pritshmëritë janë që këtë sezon Lugina e Valbonës të mirëpresë mbi 250 mijë vizitorë, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një prej perlave më të çmuara të turizmit shqiptar./abcnews.al



