Në vijim të masave sensibilizuese, Policia e Lezhës ka organizuar takime informuese me persona fizikë dhe administratorë subjektesh, veprimtaria e të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, kryesisht në zonat turistike.
Njëkohësisht, ka nisur zbatimi i detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, gjatë ditëve të fundit, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike, kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në terren.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, me matës të zhurmës janë testuar ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Shëngjinit, për të verifikuar respektimin e nivelit kufi të lejuar të zhurmës, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Matjet e kryera, në përputhje me procedurën standarde të parashikuar për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Paralelisht me matjen e nivelit të zhurmës, strukturat e Policisë kanë kontrolluar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona ose qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.



