Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi të dyja palët kanë shkëmbyer sulme ushtarake në dhe rreth Ngushticës së Hormuzit, duke rritur shqetësimet për sigurinë rajonale dhe stabilitetin e tregjeve globale të energjisë.
Mëngjesin e kësaj te hëne forcat amerikane ndërmorën sulme ajrore ndaj disa objektivave në Iran, duke goditur zona strategjike si Bandar Abbas, Shirik, Jask dhe Bushehr. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, objektivat ishin instalime ushtarake dhe sisteme që, sipas Uashingtonit, përdoren për sulme ndaj anijeve tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas ushtrisë amerikane, gjatë operacionit forcat e Gardës Revolucionare iraniane hapën zjarr ndaj anijeve tregtare në ngushticë. Zyrtarët amerikanë thanë se avionët e tyre rrëzuan një raketë iraniane dhe një dron vetëvrasës.
Në kundërpërgjigje, Irani njoftoi se nisi një valë sulmesh me raketa balistike dhe dronë ndaj bazave amerikane në rajon. Sipas raportimeve, raketa me rreze të shkurtër veprimi u lëshuan drejt Bahreinit, ku ndodhet Flota e Pestë e Shteteve të Bashkuara.
Sirenat e alarmit u dëgjuan në Bahrein dhe Jordani, ndërsa autoritetet jordaneze mbyllën përkohësisht aeroportin ndërkombëtar të Amanit për arsye sigurie.
Sipas autoriteteve iraniane, u godit një stacion pompimi për ujitjen e tokave bujqësore.
Përshkallëzimi i konfliktit pati ndikim të menjëhershëm edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent u rrit me 3.75 %, duke arritur në 78.86 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 3.65 %, në 74.02 dollarë për fuçi.



