Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Sulme të reja në Gjirin Persik/ Përshkallëzohet konflikti, SHBA goditje objektivave ushtarake

schedule15:21 - 12 Korrik, 2026

schedule 15:21 - 12 Korrik, 2026

Forcat amerikane dhe ato iraniane kanë shkëmbyer sulme të fuqishme me raketa dhe dronë, ndërsa Teherani pretendoi këtë të diel se ka mbyllur sërish ngushticën strategjike të Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të karburantit në botë.

Përplasjet e reja ushtarake mes dy vendeve kanë rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme, pasi Irani sulmoi objekte amerikane në disa vende të Gjirit, ndërsa Uashingtoni njoftoi goditje të reja ndaj objektivave ushtarake iraniane. Teherani ka pretenduar se ka marrë nën kontroll ngushticën e Hormuzit me forcën e tyre, por Uashingtoni e ka mohuar një pretendim të tillë.

Sipas ushtrisë amerikane, forcat e saj goditën vonë mbrëmjen e së shtunës rreth 140 objektiva ushtarake iraniane, duke e çuar në mbi 300 numrin e objektivave të goditura gjatë tri netëve të sulmeve. Uashingtoni tha se operacionet kishin për qëllim dobësimin e aftësisë së Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe transportin civil në ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në disa qytete portuale të vendit.



Gardat Revolucionare iraniane deklaruan se kishin goditur një qendër komandimi dhe kontrolli, hangarë dronësh në Jordani, një radar amerikan në Kuvajt, si dhe platforma mbështetëse për avionët luftarakë amerikanë dhe qendra furnizimi me karburant në Oman. Teherani pretendoi gjithashtu se kishte shkatërruar një qendër mirëmbajtjeje avionësh dhe një objekt komandimi në Katar.

Qeveria e Katarit konfirmoi se tre persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën nga copëza metalike pas sulmit. Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kishin përballuar sulme me raketa dhe dronë nga Irani. Sirenat e alarmit u aktivizuan edhe në Bahrein, ndërsa shpërthime u dëgjuan në Doha. Autoritetet e Emirateve thanë më vonë se kërcënimet me raketa të zbuluara gjatë ditës ishin jashtë territorit të vendit.

Tri raketa të lëshuara nga territori iranian ranë në Jordani herët të dielën, duke shkaktuar dëme të vogla materiale, por pa viktima, sipas agjencisë shtetërore jordaneze të lajmeve.

Edhe rajoni i Musandamit në Oman u vu në shënjestër nga dronët, njoftuan autoritetet vendase, pa dhënë detaje për viktima të mundshme. Përplasja e fundit ushtarake SHBA–Iran erdhi pasi Teherani sulmoi një anije tregtare nga Qipro në Ngushticën e Hormuzit.

Përplasjet e fundit kanë destabilizuar më tej Gjirin Persik, ndërsa tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit kanë shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe shqetësime për inflacionin global. Rritja e çmimeve të karburanteve përbën një çështje të ndjeshme politike për presidentin Trump, veçanërisht përpara zgjedhjeve të Kongresit në nëntor.

Sulmet e fundit kanë shtuar gjithashtu dyshimet mbi të ardhmen e një marrëveshjeje të përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit, e nënshkruar muajin e kaluar me synimin për t’i dhënë fund konfliktit./abcnews.a

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!