Norvegjia është surpriza e madhe e kësaj Kupe Bote. Përtej çdo pritshmërie, “vikingët” siguruan për herë të parë në historinë e tyre çerekfinalet e një Botërori, por nuk duan të ndalen këtu.
Optimizmi mund të duket I tepruar, por pasi eliminuan Brazilin në 1/8 dhe me Erling Haaland një “snajper” të vërtetë, norvegjezët “rremojnë” drejt triumfit ashtu si tifozët e tyre, që në tribuna e kanë fituar “Kupën” e tyre.
Në çerekfinalet e Botërorit, skandinavët do të përballen me Anglinë, një mes tre favoriteve të mëdha të turneut. Por ky detaj nuk e spraps trajnerin Stalke Solbakken të vazhdojë me idetë e tij për një skuadër, fizike, që mbrohet mirë dhe që deri tani ka rezultuar vrastare në finalizimin e aksioneve.
Këtë detyrë sigurisht e ka Haaland, që edhe një herë pritet të ketë ndihmën e Sorlth dhe Nusa në krahë dhe kapitenin Odegard që niset nga linjat e dyta. Nuk pritet të ketë ndryshime në repartet e tjerë të Norvegjisë, që kërkon të vazhdojë një endërr, që në fillim të sezonit dukej e pamundur.
Nga ana tjetër, Anglia e ka si detyrim fitoren dhe kualifikimin në gjysmëfinale. “Tre Luanët” duhet të shpërblejnë pritshmëritë e mëdha të tifozëve, që presin një Kupë Bote prej gjashtë dekadash.
Skuadra e Thomas Tuchel është favorite në letër, por puna në fushë nuk është aspak e lehtë për trajnerin, që duhet t’i bëjë llogaritë me problemet fizike dhe mungesat kundër Norvegjisë.
Deklan Rice është stërvitur vetëm për shkak të një dëmtimi, ndërsa në dyshim janë James dhe Guehi. Po ashtu, Quansah është i pezulluar dhe Jordon Henderson e ka mbyllur Botërorin.
Në këtë mënyrë, një vend në formacion pritet të marrin Stones në mbrojtje dhe Eze në mesfushë, ndërsa nuk ndryshon sulmi me Kane, Bellingham, Saka dhe Gordon në ndihmë të tij.
Probleme të mëdha, por që për tifozët anglezë nuk duhet të jenë alibi.



