Për fat, lëndimi i tij nuk duket i rëndë. Kilian Mbape vërtet doli nga fusha duke çaluar pas 77’, dhe vërtet u pa në stol me akull në kavilje, por vetë futbollisti I Francës, dhe vetë selektori I tij, Didie Deshamp, larguan frikën se mos ndoshta do të mungonte në gjysmëfinale.
Gjithsesi, kapiteni francez nuk pati shqetësim vetëm dhimbjet në kavilje. Në minutën e 25-të, sulmuesi u pengua në zonë nga Mazraui, në një penallti të pastër të cilën arbitri argjentinas Fakundo Tejo e akordoi me korrektesë dhe pa vonesë.
Vonesat, megjithatë ndodhën, e madje ishin plot 5 minuta. Fillimisht, Mbape u pengua nga lojtarët marokenë që me shumë ngadalësi u larguan nga zona. Më pas, pati vetë probleme, sepse nuk po vendoste siç duhet topin në pikën e bardhë, ndërsa pengesë ishin edhe vonesat nga portieri Bono.
Kjo peripeci i bëri përshtypje edhe yllit të sulmit të Norvegjisë, Erling Haland, që postoi mesazhin qortues në rrjetet sociale. Ndërkaq, gardiani i Marokut, edhe pa luftë psikologjike, ishte i frikshëm.
Askush si Bono nuk ka bilancin në Botëror me vetëm 2 penallti të pësuara gol, nga 9 gjithsej. Prej tyre, 4 i ka pritur, edhe 3 kanë përfunduar jashtë. Mbape ishte i fundit që provoi madhështinë e portierit maroken, që ia ndaloi gjuajtjen. Gjithsesi, kapiteni doli i lumtur nga fusha sepse Franca fitoi 2-0 dhe është në gjysmëfinale, si dhe vazhdon të cilësohet favoritja për titull.



