Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Daliç mbyll një epokë/ Trajneri i Kroacisë largohet pas eliminimit në Kupën e Botës

schedule12:47 - 9 Korrik, 2026

schedule 12:47 - 9 Korrik, 2026

Kanë kaluar kaq shumë kohë që atëherë. Në verën e vitit 2008, Zlatko Daliç ishte një trajner ende i ri, 42-vjeçar, që kishte punuar vetëm tek Varteksi e Rijeka në Kroaci, dhe që provoi fatin në stolin e Dinamos në Tiranë.

Tekniku shumë simpatik dhe tepër I sjellshëm nuk është se pati shumë fat tek blutë, duke dhënë dorëheqjen në shkurt 2009 pasi humbi dy derbe ndaj Tiranës e Partizanit, veçse pak muaj më vonë u kthye në kryeqytetin e Shqipërisë si një nga kandidatët për kombëtaren kuqezi, por përfundimisht presidenti I Federatës Duka vendosi për kroatin tjetër, Josip Kuzhe.

Daliç e vazhdoi karrierën në nivele mesatare si përsëri tek Rijeka, pastaj në Lindjen e Mesme për 7 vjet, kur papritur u emërua trajner I Kroacisë.



Fjalët e para të tij ishin një shprehje besimi tek suksesi, një energji pozitive dhe bindja se me lojtarë si Modriç, Perishiç, Çorluka, Kovaçiç, Brozoviç, Manxhukiç, Rebiç apo Pjaca fitoret do të vinin.

Kështu edhe ndodhi.

Në Kupën e Botës 2018 në Rusi, të mbiquajturit “Të zjarrtët” ishin vërtet të jashtëzakonshëm. Kush e harron fitoren 3-0 ndaj Argjentinës duke e bërë edhe një Mesi që të dukej krejt i vogël.

E jashtëzakonshme gjysmëfinalja ndaj Anglisë duke përmbysur rezultatin nga 0-1 në 2-1, në një nga sfidat më të mëdha të historisë së kombëtares kroate, ndonëse jo aq sa fitorja 3-0 kundër Gjermanisë në 1998 nga brezi I Shukerit, Bobanit apo Prosineçkit.

Franca në finale ishte tepër e fortë dhe humbja në stadiumin Luzhniki të Moskës krejt logjike, ndërsa në fund, Daliç apo Modriç u ngushëlluan nga presidentja Kolinda Grabar-Kitanoviç, një simbol bukurie mes dinjitarëve politikë në Botëror.

Katër vjet më vonë, në 2022 në Katar, Kroacia nuk parashikohej të ishte aq e fortë, por as nuk deshi t’ia dinte. Në çerekfinale, “viktima” e madhe ishte Brazili, dhe pesë herë kampionët e botës u përkulën pas penalltive.

Heroi I madh ishte portieri Livakovic.

Edhe pse Argjentina dhe Mesi u hakmorrën në gjysmëfinale duke i mundur ballkanasit 3-0, sërish u arrit vendi i tretë pra medalja e bronzit, me suksesin ndaj Marokut. Botërori 2026 padyshim që nuk mund të ishte i lavdishëm, me një Modriç 40 vjeç, një Perishiç të plakur, ndërsa Brozoviç e kishte mbyllur me kohë.

U arrit raundi I dytë, ndërsa eliminimi me Portugalinë me anulim goli në sekondat e fundit ishte një tronditje e vërtetë që u pagua nga polemikat. Tashmë, Daliç vendosi të largohej, por Kroacia nuk do ta harrojë kurrë trajnerin që karriera e bëri të kalonte edhe nga Shqipëria./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!