Një aksident i pazakontë është regjistruar gjatë natës në fshatin Çakrez të Gramshit, ku një çift bashkëshortësh ka mbetur i plagosur pasi motori me të cilin udhëtonin u përplas si pasojë e daljes së papritur të një kali në rrugë.
Sipas informacioneve paraprake, kafsha u ka prerë rrugën në mënyrë të menjëhershme, duke bërë që drejtuesi të humbte kontrollin e motorit. Si pasojë e rrëzimit, të dy bashkëshortët kanë pësuar lëndime.
Pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë së Gramshit dhe një ambulancë, të cilat u dhanë ndihmën e parë të plagosurve dhe i transportuan në Spitalin e Gramshit.
Burime bëjnë me dije se, pas rreth një ore nën kujdesin e mjekëve, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, çifti u transferua me ambulancë drejt një spitali në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.



