Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga “i vdekur” në mes të turmës, Ahmadinexhad shfaqet papritur në funeralin e Khameneit

schedule18:08 - 7 Korrik, 2026

schedule 18:08 - 7 Korrik, 2026

Ai ecën duke parë drejt tokës, me maskën e bardhë të ulur poshtë mjekrës, flokët e thinjura, syze optike dhe një xhaketë të çelët të konsumuar mbi këmishën e zezë. Me hapa të ngadaltë, bashkohet me kortezhin Mahmoud Ahmadinexhad, ish-presidenti iranian, emri i të cilit është përfshirë në një sërë historish, intrigash dhe teorish komploti gjatë luftës së Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.

Deri në atë pikë sa ai u përfol si personi mbi të cilin Uashingtoni dhe Tel Avivi mund të mbështeteshin për një ndryshim regjimi në Teheran. Në muajin maj, gazeta amerikane “New York Times” raportoi se ekzistonte një plan për ta nxjerrë Ahmadinexhadin nga izolimi i tij, duke e goditur me bomba vendin ku mbahej praktikisht nën arrest shtëpie, dhe për ta rikthyer atë në pushtet. Operacioni dështoi, Ahmadinexhadi u plagos dhe vendosi të tërhiqej.

Pas artikullit të gazetës amerikane, për ish-presidentin populist iranian nuk u dëgjua më asgjë. Ai u shfaq sërish dje në ceremoninë mortore të Ali Khameneit, pavarësisht përplasjeve të shumta që kishte pasur me të gjatë viteve kur ishte në krye të pushtetit dhe edhe më pas, deri në pikën që u kthye në një zë kritik ndaj vetë sistemit.



Një paradoks për njeriun që ka hyrë në histori për qëndrimet e tij ekstreme, mohimin e Holokaustit, këmbënguljen për programin bërthamor dhe shtypjen e ashpër të lëvizjes së madhe reformiste “Vala e Gjelbër”. Udhëheqësit që kundërshtuan rizgjedhjen e tij në vitin 2009, Mir-Hossein Mousavi dhe Mehdi Karroubi, vazhdojnë ende të jenë në arrest shtëpie.

Në të njëjtën situatë izolimi dhe heshtjeje ndodhet edhe ish-presidenti reformist Mohammad Khatami, i cili në vitet ’90 promovoi reforma dhe hapje historike, por u la mënjanë nga qarqet konservatore të Republikës Islamike. As ai dhe as ish-presidenti Hassan Rouhani, politikani pragmatist që nënshkroi marrëveshjen bërthamore me administratën e Barack Obamës, nuk u shfaqën në funeralin e Khameneit.

Dje, arkivoli i ajatollahut u shoqërua në një kortezh masiv për disa kilometra nga një turmë e madhe njerëzish që mbushi të gjithë sheshin Azadi dhe rrugët përreth. Më pas trupi u transportua me helikopter drejt qytetit të shenjtë Qom.

Në ceremoni ishin të pranishëm figurat më të fuqishme të Iranit, jo vetëm klerikët dhe udhëheqësit fetarë më me ndikim, por edhe ish-ministri i Inteligjencës së Gardës Revolucionare, Hossein Taeb, kreu i Gardës Revolucionare, Ahmad Vahidi, i cili mbërriti me motor së bashku me shoferin e tij, si dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.

Mbështetësit e “rahbarit” (udhëheqësit suprem) brohorisnin slogane kundër Amerikës, Donald Trumpit dhe Benjamin Netanyahut. Një person solli në shesh një kukull të presidentit amerikan me litar në qafë, ndërsa të tjerë vendosën në anë të një mbikalimi një poster me portretin e Trumpit, në mënyrë që kalimtarët të mund t’i hidhnin gurë.

“Ne nuk duam kompromise, duam hakmarrje”, thërrisnin mbështetësit e regjimit. Por për momentin, aparati shtetëror duket se ka zgjedhur rrugën e negociatave dhe jo atë të përplasjes ushtarake.

Para për paqe, para në këmbim të paqes, kjo është formula që duket se po udhëheq vendimmarrjen e Teheranit në këtë fazë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!