Një konflikt i dhunshëm i ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë është zbardhur nga Policia, ndërsa tre persona kanë përfunduar në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas bluve të kryeqytetit, ngjarja ka ndodhur në hyrjen e një parkimi të një pallati, ku disa shtetas janë konfliktuar me sende të forta, ndërsa njëri prej tyre ka përdorur edhe një mjet prerës.
Pas veprimeve të shpejta hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, u arrestuan në flagrancë shtetasit 46 vjeç, 44 vjeç dhe 23 vjeç. Ata dyshohen për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ndërkohë, një tjetër person, shtetasi 33 vjeç, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin 17 vjeç, i dyshuar për “Plagosje të rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim.



