Presidenti Donald Trump tha që SHBA vrau komandantin e lartë ushtarak të Iranit Qasem Soleimani “për të ndaluar një luftë, jo për të filluar një tjetër”.
Ai tha se “mbretërimi i terrorit ka mbaruar” pas sulmit në aeroportin e Irakut në Bagdad të Premten.
Soleimani kryesoi operacionet e Iranit në Lindjen e Mesme si kreu i Forcës Quds. Irani është zotuar per “hakmarrje te rëndë” për ata që janë përgjegjës për vdekjen e tij.
Vrasja shënon një përshkallëzim të madh në tensionet midis Iranit dhe SHBA. Zyrtarët amerikanë thanë se 3,000 trupa shtesë do të dërgohen në Lindjen e Mesme si një masë paraprake.
Ndërkohë, televizioni shtetëror irakian tha se ka pasur një sulm tjetër ajror në vend, 24 orë pas vrasjes së Soleimani. Megjithatë, nuk ka asnjë koment për këtë nga Ëashingtoni.
Një burim i ushtrisë irakiane i tha agjencisë së lajmeve Reuters se gjashtë vetë u vranë, në një kolonë të milicisë irakene në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Sakaq, Trump duke folur në një deklaratë për mediat nga Mar-a-Lago, Florida, ku konfirmoi se ai udhëzoi ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për të kryer goditjen ajrore që vrau “terroristin numër një në botë”, Qassem Soleimani. Presidenti Trump informoi se Soleimani po përgatiste sulme ndaj diplomatëve amerikanë dhe personelit ushtarak.
Pasi bëri një përmbledhje të aktivitetit terrorist të Qassem Soleimanit, Presidenti Trump shtoi se: “ajo çfarë Shtetet e Bashkuara bënë dje, duhej të ishte bërë prej shumë kohësh. Shumë jetë mund të ishin shpëtuar… protestuesit që u shtypën brutalisht në Iran, ku mbi një mijë civilë të pafajshëm u torturuan dhe u vranë nga vetë qeveria e tyre. Ne vepruam për të ndalur një luftë. Nuk vepruam që të fillojmë luftën”.
Megjithatë, Presidenti Trump nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm. “Nëse do të kërcënohen amerikanët, kudo që të ndodhen, ne i kemi të identifikuara objektivat dhe unë jam gati dhe i përgatitur për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm”, tha Presidenti Trump./abcnews.al