Alarm Sigurie, Departamenti Amerikan: Largohuni menjëherë nga Iraku!

schedule20:13 - 3 Janar, 2020

schedule 20:13 - 3 Janar, 2020

Departamenti Amerikan i shtetit gjatë ditës së sotme ka bërë thirrje urgjente shtetasve amerikan që janë të vendosur apo gjenden në Irak dhe rajon.

“Për shkak të tensioneve të ngritura në #Iraq dhe rajon, ne u bëjmë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Iraku. Për shkak të sulmeve të milicisë të mbështetur nga Irani në kompleksin e ambasadës amerikane, të gjitha operacionet konsullore janë pezulluar. Qytetarët e Sh.B.A nuk duhet të afrohen pranë Ambasadës. Qytetarët e SHBA në Irak ose të shqetësuar për të dashurit në Irak mund të kontaktojnë Departamentin e Shtetit në 202-501-4444 ose pa pagesë në Sh.B.A në 888-407-4747. Shmangni Ambasadën e Sh.B.A në #Baghdad. Monitoroni median lokale dhe ndërkombëtare për azhornime”, shkruan në njoftimin e tij Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ditët e fundit tensionet në këtë rajon janë rritur së tepërmi. Vrasja e gjeneralit iranian me vendim të Presidentit Trump kanë bërë që në rajonin e lindjes së mesme të zhvillohen protesta të dhunshme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot se vrasja e tij shmangu një “sulm që pritej të ndodhte nga momenti në moment kundër interesave amerikane”.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes shtoi se Soleimani “po hartonte në mënyrë vazhdueshme plane për të sulmuar diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak, si dhe në të gjithë rajonin” por  Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi tha se sulmi ishte kryer “pa u këshilluar” me Kongresin dhe se rrezikonte “të provokonte një përshkallëzim të mëtejshëm e të rrezikshëm të dhunës”.

Ajo shtoi se “SHBA dhe bota nuk mund ta përballojnë përshkallëzimin e tensioneve deri në pikë që të mos ketë kthim pas”. Gjenerali ishte një nga strategët kryesorë ushtarakë të Iranit./abcnews.al