Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka reaguar pas mbylljes së qumështores “Vita”, duke kritikuar ashpër institucionet shtetërore dhe mënyrën e trajtimit të prodhuesve vendorë.
Gjini tha se mbyllja e kompanisë ka lënë pasoja të rënda për punëtorët dhe fermerët që bashkëpunonin me të.“Sot u vërtetua edhe njëherë se ky pushtet e sheh prodhuesin vendor si armik. Mbyllja e qumështores më të madhe në vend, ‘Vita’, la qindra punëtorë pa punë dhe mijëra fermerë kosovarë në udhëkryq”, ka shkruar Gjini.
Reagimi i tij vjen pas zhvillimeve rreth inspektimeve të paparalajmëruara në këtë qumështore, ku sipas raportimeve kanë marrë pjesë 25 inspektorë shtetërorë.
Mbyllja e “Vitës” ka nxitur reagime të shumta në opinion dhe në skenën politike, me akuza të ndërsjella mes përfaqësuesve të biznesit dhe institucioneve për mënyrën e trajtimit të kompanisë dhe ndikimin në ekonominë vendore.



