Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth “Vita-s”, duke kritikuar ashpër qasjen e institucioneve shtetërore ndaj prodhuesve vendorë.
Përmes një reagimi publik, Mustafa tha se veprimet e ndërmarra ndaj kompanisë dëshmojnë, sipas tij, një qasje represive ndaj sektorit privat, e cila po rrit pasigurinë për bizneset vendore.
“‘Inspektori’ Armend Muja po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes. Represioni i sotëm ndaj qumështores ‘Vita’ tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë”, deklaroi Mustafa.
Sipas tij, një klimë e tillë dëmton drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës dhe dekurajon investimet, si ato vendore ashtu edhe të huaja.
Mustafa u shpreh se një qeveri që, sipas tij, perceptohet si armiqësore ndaj sektorit privat nuk mund të krijojë kushte për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Ai shtoi se qasja aktuale nuk kontribuon në krijimin e vendeve të reja të punës apo në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, por, sipas tij, krijon një model ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat shtetërore.
Në fund, deputeti i zgjedhur i PDK-së bëri thirrje që institucionet të ndjekin politika që mbështesin prodhimin vendor, investimet dhe punësimin, në vend që, sipas tij, të vendosin pengesa për bizneset që operojnë në Kosovë.



