Rusia sulmoi sërish Ukrainën, duke goditur rëndë kryeqytetin Kiev me një valë raketash dhe dronësh gjatë natës.
Sipas autoriteteve ukrainase, nga sulmi kanë humbur jetën të paktën 20 persona, ndërsa mbi 90 të tjerë janë plagosur.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në disa pjesë të kryeqytetit, ndërsa raketat dhe dronët goditën zona të banuara, duke shkaktuar shembjen e pjesshme të një pallati shumëkatësh, dëmtime në dhjetëra ndërtesa banimi, një hotel, një stacion ambulance dhe objekte të tjera civile.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 74 raketa dhe 496 dronë gjatë natës, duke synuar kryesisht kryeqytetin.
Ndërsa mbrojtja ajrore e vendit ishte në gjendje të sprapste shumicën e tyre, 25 raketa balistike dhe 12 dronë goditën 33 vende.
Presidenti Volodymyr Zelensky e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë një tjetër dëshmi se Rusia vazhdon të shënjëstrojë popullsinë civile. Ai u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të përshpejtojnë dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe armëve për Ukrainën, duke theksuar se vendi ka nevojë urgjente për më shumë kapacitete për të mbrojtur qytetet nga sulmet ajrore.
Sulmi vjen në një moment të intensifikimit të luftimeve, pasi ditët e fundit Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj objektivave ushtarake dhe energjetike brenda Rusisë, duke goditur rëndë rafineritë e naftës, gjë që ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me naftë.



