Në moshën 60-vjeçare, kur shumë njerëz zgjedhin një jetë më të qetë, Emrush Ferizaj ka vendosur të sfidojë veten dhe botën mbi dy rrota. Pensionisti shqiptar prej 10 vitesh udhëton i vetëm me biçikletë, duke e kthyer pasionin në një mënyrë jetese dhe çdo rrugëtim në një aventurë pa kufij.
Aktualisht ai ndodhet në Vietnam, në një tjetër etapë të projektit të tij të quajtur “Udhëtim pa limit”. Vetëm në këtë ekspeditë ka përshkuar mbi 5.500 kilometra dhe ka kaluar në më shumë se tetë shtete, pasi u nis nga Gjermania në muajin prill.
Fillimisht synimi i tij ishte të mbërrinte në Bali, një destinacion që e ka vizituar tre herë dhe e konsideron të preferuarin. Megjithatë, nuk përjashton mundësinë që destinacioni final të ndryshojë dhe udhëtimi të përfundojë në Kuala Lumpur. Nëse vazhdon drejt Balit, ai llogarit të mbërrijë në janar.
Ferizaj tregon se e quan këtë eksperiencë “Udhëtim pa limit”, sepse beson se nuk do të përfundojë kurrë. Pas çdo cikli udhëtimesh pushon rreth tre muaj dhe më pas niset sërish drejt një aventure të re.
Në disa segmente ka ecur me ritme mbresëlënëse, duke përshkuar rreth 1.500 kilometra për vetëm 14 ditë. Tani ka vendosur ta ngadalësojë ritmin, për të shijuar më shumë natyrën dhe vendet që viziton. Netët i kalon kryesisht në tendë, ndërsa herë pas here zgjedh edhe hotele. Edhe shpenzimet i mban minimale. Përveç ditëve kur akomodohet në hotel, shpenzon rreth 10 euro në ditë. Sfida më e madhe mbeten rrobat, të cilat i lan në hotel, por tharja e tyre shpesh kërkon kohë.
Nga të gjitha vendet që ka vizituar, Uzbekistani dhe Kina i kanë lënë mbresat më të forta. Në Kinë u përball disa herë me kontrolle të rrepta kufitare, ndërsa Uzbekistanin e kujton për mikpritjen dhe ushqimin tradicional.
Pas këtij pasioni fshihet edhe një histori e fortë personale. Emrushi ka kryer pesë operacione në shtyllën kurrizore. Për vite me radhë punoi si drejtues eskavatori në Gjermani, një profesion që e detyronte të qëndronte ulur për orë të tëra dhe që ndikoi në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Pas fizioterapive të shumta, ishte pikërisht biçikleta ajo që i lehtësoi dhimbjet dhe i ndryshoi jetën. Sot ai thotë se nuk ndien më dhimbje në shpinë dhe vazhdon të eksplorojë botën me të njëjtin entuziazëm. I martuar, baba i dy fëmijëve dhe gjysh, Emrush Ferizaj gëzon mbështetjen e familjes, e cila e njeh mirë pasionin e tij dhe qëndron në kontakt të vazhdueshëm me të gjatë çdo udhëtimi./abcnews.al



