Ky është propozimi i përsëritur i partisë së tij “Aleanca”, tashmë drejtuar nga Ardina Gjini,
Deputeti i zgjedhur nga radhët e AAK, Besnik Tahiri, tha se situata politike në Kosovë do të zhbllokohej nëse do të kishte një garë për zgjedhjen e presidentit mes Haradinaj, si kandidat i mbështetur nga opozita, dhe një kandidati të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tahiri sqaron se Haradinaj nuk ka kërkuar votë, por nëse “opozita e mbështet kandidaturën e tij, atëherë do të ketë garë zgjedhore”.
“Gjuha e Vetëvendosjes është gjuha më e ulët politike në historinë parlamentare. Ata janë kampionë të gjuhës së tillë. Ramush Haradinaj asnjëherë s’ka lypë votë. Asnjëherë s’ka thënë ‘unë jam kandidati’. Ka thënë: ‘Për me u zhbllokuar Kosova, për mos me mbet peng, në qoftë se opozita e mbështet kandidaturën e tij, atëherë do të ketë garë zgjedhore’. Pra, ky pozicion së paku do ta zhbllokonte Kosovën. Nuk dihet kush do të fitonte, mirëpo do të kishte një kandidat për president nga opozita dhe një kandidat prej tyre. Nuk ka të bëjë asgjë me çka ka thënë ajo, as s’kemi lypë vote”, tha Besnik Tahiri.
Aleanca ka qenë kritike për faktin që një parti politike të drejtojë edhe Qeverinë, edhe Presidencën, edhe Kuvendin.
“Ne kemi thënë që nuk mundemi me vazhdojmë me një pozicion ku një parti do t’i marrë tri pozicione, do ti zaptoj tri pozicionet, sepse atëherë do të thotë me e kthyer shtetin parlamentar në një shtet autoritar”, shtoi ai.
Tahiri nuk e ka përjashtuar mundësinë e përsëritjes së bllokadës institucionale dhe automatikisht dërgimin e vendit në zgjedhje të tjera.



