Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar sërish për vendimin që e shpall Ikballe Hudutin “person non grata” në Shqipëri.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai shkruan se shpallja e saj person i padëshirueshëm në Shqipëri nuk nënkupton përndjekje të protestuesve që e mbështesin, por është një masë që, sipas tij, synon “çdo nxitës të urrejtjes dhe ekstremizmit”.
Lamallari ka postuar një video ku Huduti shfaqet duke folur me tone vlerësuese për Khamenein dhe duke përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti.
“Mos merremi me protestuesit?!
Jo! Jo vetëm nuk merremi me asnjë protestues si i tillë, por përpiqemi t’i dëgjojmë të gjithë ata që janë sinqerisht të shqetësuar.
Por patjetër që do të merremi me çdo nxitës të urrejtjes dhe ekstremist, si kjo zonja, që bindjet e saja mund t’i mbajë për vete jashtë Shqipërisë, të paktën 15 vitet e ardhshme.”
Më tej, Lamallari shkruan se është një turp më vete edhe përzierja e emrit të kryeministrit të nderuar të Kosovës në përroin psikik të kësaj zëdhënëseje të një shteti të shpallur me konsensus shtet terrorist nga Kuvendi i Shqipërisë./abcnews.al



