Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata në një deklaratë për mediat tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij vjedhin shqiptarët për të pasuruar oligarkët.
Gjata iu referua sipas tij të dhënave zyrtare, që tregojnë se Rama i ka dhuruar Vilma Nushit, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it.
“Të dhënat zyrtare tregojnë se Edi Rama i ka dhuruar financueses së e fushatës së tij elektorale, Vilma Nushi, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it”, u shpreh Gjata.
Deklarata e plotë:
Duke ju uruar një vit të ri të mbarë, me sa më pak probleme për ju dhe familjet tuaja, urimi për largimin e qeverisë dhe kryeminsitrit që drejton vendin është i pashmangshëm.
Arsyeja që na bashkon në këtë urim të fillimvitit është e thjeshtë: Edi Rama dhe qeveria e tij vjedhin shqiptarët për të pasuruar oligarkët, klientët dhe financuesit e tyre.
Buxheti 2020 me 150 milionë dollarë pagesa për 10 oligarkë nuk është prova e vetme se motivimi kryesor i qeverisjes së Edi Ramës është vetëm zhvatja dhe grabitja e qytetarëve për interesa korruptive.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Edi Rama i ka dhuruar financueses së e fushatës së tij elektorale, Vilma Nushi, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it.
Një raport i dhjetorit për koncesionet i Ministrisë së Financave, konfirmon se për 3 vitet e para të lidhjes së kontratës së dështuar dhe korruptive të check up-it, mikesha dhe financuesja e Edi Ramës është paguar për 580 mijë kontrolle të pakryera. Fatura që shqiptarët kanë paguar për të pasuruar oligarken dhe kryeministrin është 8.5 milionë euro.
Partia Demokratike e ka denoncuar që prej fillimit këtë kontratë korruptive të miratuar nga qeveria e Edi Ramës, sipas të cilës financuesja e Partisë Socialiste duhet të paguhet nga paratë e shqiptarëve për 475 mijë kontrolle në vit, pavarësisht numrit shumë më të ulët që realizohet në të vërtetë.
Janë 8.5 milionë euro , të cilat, në vend t’i bëheshin dhuratë për të pasuruar një prej oligarkëve të Edi Ramës, mund të ishin përdorur për të zbutur varfërinë në vend. Me 290 mijë shqiptarë që ushqehen vetëm 1 herë në ditë, 8.5 milionë euro vjedhje vetëm me 1 koncesion, janë mesazhi më i qartë se qeveria e Edi Ramës nuk ka prioritet mirëqenien e shqiptarëve, nuk ka prioritet rritjen e pagave dhe pensioneve, nuk do t’ia dijë për mbylljen e vendeve të punës. Për Edi Ramën rëndësi ka pasurimi I paligjshëm i një grupi oligarkësh, me të cilët po grabit paratë dhe pasuritë e tjera të vendit.
Partia Demokratike është e vendosur t’i zhbëjë këto skema vjedhjeje. Sapo të kemi besimin e shqiptarëve për të qeverisur vendin me votë të lirë e të ndershme, Partia Demokratike do të anullojë çdo koncesion dhe projekt korruptiv që grabit shqiptarët.
Plani ynë për të orientuar paratë e shqiptarëve për mirëqenien e tyre është e vetmja rrugë për daljen nga kriza ekonomike dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Që të realizohet ky plan dhe Edi Rama të mos vjedhë me çdo firmë 8.5 milionë euro, na duhet që, së bashku, ta largojmë sa më shpejt qeverinë e tij kampione të korrupsionit./abcnews.al