Në moshën vetëm 25-vjeçare, Rejsi Prosi është kthyer në një nga emrat më premtues të muzikës klasike shqiptare në arenën ndërkombëtare. Pas sukseseve në disa nga skenat më prestigjioze të botës, pianistja shqiptare u rikthye në Tiranë për të magjepsur publikun në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Në koncertin simfonik “Tchaikovsky & Ravel”, ajo interpretoi si soliste në piano përkrah violinistes Laura Lozi, e shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së nën dirigjimin e maestros italiane Beatrice Venezi. Programi solli në një mbrëmje të vetme romantizmin e Tchaikovsky-t, elegancën e Ravel-it dhe energjinë ritmike të Milhaud-it, duke dhuruar një udhëtim artistik të nivelit ndërkombëtar.
Rrugëtimi i Rejsit nisi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ndërsa më pas vazhdoi në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese në Graz të Austrisë, ku përfundoi studimet Bachelor dhe aktualisht po ndjek programin Master për piano koncertiste.
Talenti i saj është vlerësuar me një sërë bursash prestigjioze nga Bashkia e Graz-it, Fondacioni Ernst von Siemens, Rotary Club Graz dhe institucione të tjera që mbështesin artistët e rinj.
Në karrierën e saj, Rejsi Prosi numëron mbi 25 çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga kulmet e këtij rrugëtimi erdhi në vitin 2023, kur fitoi çmimin e parë në Shtetet e Bashkuara, sukses që i hapi dyert për debutimin në sallën legjendare Carnegie Hall në New York, një ëndërr për çdo muzikant në botë.
Megjithëse performon në skena të mëdha ndërkombëtare, pianistja shqiptare mbetet e lidhur fort me rrënjët e saj. Ajo ka bërë mision të promovojë muzikën klasike dhe bashkëkohore shqiptare përpara publikut të huaj, duke interpretuar vepra të kompozitorëve shqiptarë në koncerte dhe festivale në SHBA, Austri, Spanjë, Republikën Çeke dhe vende të tjera.
“E shoh si një përgjegjësi dhe privilegj të jem ambasadore e kulturës muzikore shqiptare. Nuk do të lodhem kurrë duke prezantuar muzikën tonë në botë”, shprehet Rejsi Prosi. Një artiste e re, por me një karrierë tashmë të jashtëzakonshme, që dëshmon se talenti shqiptar vazhdon të shkëlqejë në skenat më prestigjioze ndërkombëtare./abcnews.al



