BRITANI- Keir Starmer ka dhënë dorëheqjen si kryeministër i Britanisë dhe lider i Partisë Laburiste. Në një fjalim të shumëpritur nga Downing Street, ku ishin mbledhur një pjesë e mbështetësve të tij, Starmer tha se i ka dëgjuar reagimet e kolegëve të tij, të cilët i kërkonin të hapte rrugë për një udhëheqje të re.
Starmer tha se foli me Mbretin për ta informuar për vendimin e tij dhe i ka kërkuar Komitetit Ekzekutiv Kombëtar të Partisë Laburiste të përcaktojë një garë për udhëheqjen më 9 korrik.
Kjo do të thotë se Britania e Madhe do të jetë bërë me një kryeministër të ri me shumë mundësi përpara se parlamenti të kthehet në shtator. Deri atëherë Starmer do të mbetet në postin e kryeministrit.
“E kam dëgjuar përgjigjen e partisë sime parlamentare dhe e pranoj me mirësjellje. Çdo vendim që kam marrë ka qenë për të vënë vendin që dua në radhë të parë. Kjo është arsyeja pse do të jap dorëheqjen si udhëheqës i Partisë Laburiste” tha ai.
Starmer deklaroi mbështetjen e tij për këdo që do e pasojë dhe gjasat janë që ky të jetë Andy Burnham, ylli i ri i laburistëve që sapo u bë pjesë e parlamentit dhe ka parë një mbështetje në rritje.
Pasuesi i Starmer do të jetë udhëheqësi i shtatë i Britanisë së Madhe në një dekadë, në një paqëndrueshmëri politike që ka ardhur duke u thelluar që nga BREXIT.
Starmer e përfundoi detyrën si një nga liderët më pak të pëlqyer laburistë të viteve të fundit dhe kjo u provua edhe më herët nga humbja e rëndë e partisë në zgjedhjet lokale në maj.
Largimi i Starmer vjen më pak se dy vjet pasi ai mori një fitore të thellë në zgjedhje që premtoi t’i jepte fund politikës kaotike të Britanisë.
Ai u zgjodh udhëheqës i Partisë Laburiste në vitin 2020 pas rezultatit më të keq zgjedhor të partisë që nga viti 1935.


