Një incident në rrjetin e metrosë së Stambollit shkaktoi alarm pasditen e së premtes, pasi një tren doli nga shinat pranë një stacioni në pjesën aziatike të qytetit.
Sipas raportimeve të agjencisë turke të lajmeve Anadolu, ngjarja ndodhi në linjën M4, e cila lidh zonën e Kadıköy me Aeroportin Sabiha Gökçen. Treni doli nga shinat pranë stacionit Bostancı, duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin në këtë linjë.
Autoritetet kanë konfirmuar se të paktën tre persona mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende publike.
SON DAKİKA | Kadıköy ile Sabiha Gökçen Havalimanı arasında sefer yapan metro, Bostancı’da raydan çıktı.
• Yolcular tahliye ediliyor. pic.twitter.com/jGkizHs2Lb
— Boşuna Tıklama (@bosunatiklama) June 19, 2026
Pas incidentit, pasagjerët u evakuuan dhe zbritën vetë nga vagonët në shina, duke ecur përmes tunelit deri në stacionin më të afërt. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e zjarrfikësve, shërbimet e emergjencës mjekësore dhe personeli teknik i metrosë për të siguruar zonën dhe për të ndihmuar udhëtarët.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e daljes nga shinat, ndërsa po punohet për rikthimin e plotë të shërbimit në linjën M4.
Ngjarja ka shkaktuar vonesa dhe shqetësime për mijëra udhëtarë që përdorin çdo ditë këtë linjë të rëndësishme të transportit publik në Stamboll.
/abcnews.al/



