Me 11 vite burg në total u dënuan Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj, dy të pandehur pjesë e dosjes Metamorfoza, të cilët u gjykuan me procedurë të shkurtuar për kryerjen e disa veprave të lehta penale.
Gjykata e Posaçme gjeti fajtor biznesmenin Gjoka për kryerjen e veprave penale sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e shtetasve Kleanthi Musabelli, Dorjan Duli dhe Ibrahim Lici, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për korrupsion aktiv të funksionarëve të sistemit të drejtësisë, duke e dënuar atë me 9 vite burg.
Dënimi për Gjokën u reduktua me një të tretën për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, duke zbritur në 6 vite. Ndërkohë ish-shefi i Policisë, Ardit Hasanbegaj, u shpall fajtor për sigurim kushtesh për vrasjen e Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai u dënua me 7.6 vite burg, dënim i cili u ul në 5 vite burg.
Për të dy ata, togat e zeza urdhëruan që dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së lartë. Përveç këtij dënimi, Pëllumb Gjoka po gjykohet në një proces me procedurë të zakonshme bashkë me disa të pandehur të tjerë, për vrasjen e Gjin Boriccit, ngjarje e shënuar në muajin gusht të vitit 2020.
Ky proces gjyqësor ndodhet ende në fazën e thirrjes së dëshmitarëve që janë kërkuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti.



