Një histori suksesi që vjen nga Gjermania po bën krenar jo vetëm komunitetin shqiptar atje, por edhe më gjerë. Në moshën vetëm 19-vjeçare, Murat Avdyli është zgjedhur anëtar i Asamblesë së qytetit të Bad Homburgut, duke u bërë njëkohësisht shqiptari i vetëm në këtë institucion dhe asamblisti më i ri i zgjedhur në qytet.
Nën siglën e partisë CDU, në zgjedhjet lokale të zhvilluara më 25 mars 2026, Murati siguroi 8.722 vota, një rezultat që i hapi rrugën drejt përfaqësimit politik në një nga qytetet më të rëndësishme të landit Hessen, me rreth 54 mijë banorë.
“Jam shumë i lumtur që u zgjodha në këtë detyrë. E konsideroj një arritje jo vetëm personale, por edhe për komunitetin shqiptar në Gjermani”, shprehet ai.
Pas suksesit qëndron një fushatë intensive dhe një angazhim i vazhdueshëm. Murati tregon se gjatë muajve të fushatës ka zhvilluar takime të shumta me qytetarët, ndërsa mbështetja e familjes ka qenë vendimtare.
“Prindërit më kanë shoqëruar në çdo hap. Kjo ka qenë një rrugë që e kemi bërë së bashku”, thotë ai.
Aktualisht, Murat Avdyli studion në universitetin prestigjioz “Frankfurt School of Finance & Management”, një nga institucionet më të njohura në fushën e ekonomisë dhe financave në Evropë. Megjithatë, krahas studimeve, pasioni i tij më i madh mbetet politika.
Rrugëtimi politik nisi vetëm dy vite më parë, kur iu bashkua organizatës rinore Junge Union. Brenda një kohe të shkurtër, ai arriti të fitojë besimin e strukturave drejtuese dhe në fund të vitit 2024 u zgjodh anëtar bordi dhe përgjegjës për anëtarësinë në degën lokale.
Më pas, ai mori edhe një rol të rëndësishëm si delegat me të drejtë vote në kongresin shtetëror të partisë në Hessen, duke u bërë një nga zërat më të rinj në forumet politike gjermane.
Historia e Muratit është edhe historia e një familjeje emigrantësh shqiptarë. Babai i tij emigroi fillimisht i vetëm në Gjermani, ndërsa nëna qëndroi për vite larg tij. Vetëm kur Murati ishte katër vjeç, familja u ribashkua në Gjermani, duke nisur një kapitull të ri jete.
Si shumë bashkëmoshatarë, ai kishte një ëndërr tjetër përpara politikës. Futbolli ishte pasioni i tij i madh. Ai nisi të luante që në moshën pesëvjeçare dhe vazhdon të jetë aktiv edhe sot, megjithëse jo me të njëjtin intensitet.
“Tani prioritetet e mia janë studimet, politika dhe angazhimi me të rinjtë”, thotë ai.
Përtej suksesit personal, Murati dëshiron të japë një mesazh për brezin e ri shqiptar në diasporë: të mos heqin dorë nga ëndrrat, të angazhohen në jetën publike të vendeve ku jetojnë dhe njëkohësisht të mos harrojnë kurrë rrënjët e tyre.
“Dua që të rinjtë shqiptarë të besojnë te vetja. Të angazhohen, të edukohen dhe të ndjekin ëndrrat e tyre. Ne mund të arrijmë shumë, pa harruar asnjëherë se nga vijmë”, është mesazhi i 19-vjeçarit që po ndërton një histori frymëzuese suksesi në Gjermani.



