Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zëvendëspresidenti J. D. Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi mes SHBA-së dhe Iran, për të cilin tashmë janë bërë publike disa nga pikat kryesore.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Sky News, marrëveshja parashikon që SHBA të mbajë përkohësisht praninë e saj ushtarake në rajon, ndërsa monitorohet zbatimi i angazhimeve nga pala iraniane. Tërheqja e trupave amerikane, sipas tyre, do të shqyrtohet vetëm pas një marrëveshjeje përfundimtare.
Po ashtu, SHBA-të shprehen të gatshme të shqyrtojnë lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e fondeve të ngrira si pjesë e “gjesteve të vogla” reciproke, me kusht që Irani të përmbushë detyrimet e tij.
Burimet theksojnë se procesi i negociatave është udhëhequr drejtpërdrejt nga nivelet më të larta të administratës amerikane, ndërsa zëvendëspresidenti Vance ka luajtur rol aktiv në komunikimin me palën iraniane.
Gjithashtu raportohet se janë hapur kanale të reja komunikimi përmes Pakistan dhe Katar, pasi Shtetet e Bashkuara shprehën pakënaqësi ndaj rolit ndërmjetësues të Oman.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë gjithashtu se Irani është në një pozicion ekonomik dhe ushtarak më të dobët se në dekadat e fundit, ndërsa programi i tij bërthamor është ndjeshëm i dëmtuar.
Nga ana e tij, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij mbetet i gatshëm për çdo skenar dhe se prioriteti i qeverisë është shërbimi ndaj qytetarëve, pavarësisht zhvillimeve në negociata.
Sipas raportimeve, dokumenti nuk është një marrëveshje përfundimtare, por një kornizë paraprake që synon uljen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për një proces më të gjerë diplomatik mes dy vendeve.



