Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se mund të jetë duke u hapur një “dritare mundësie për diplomacinë” në lidhje me luftën në Ukrainë, duke argumentuar se Kievi ndodhet tashmë në një pozicion më të favorshëm dhe se Rusi nuk mund të arrijë më një fitore ushtarake.
Duke u nisur për në samitin e G7, që zhvillohet në Francë deri më 17 qershor, Merz tha se dinamika e konfliktit ka ndryshuar ndjeshëm në favor të Ukrainës.
“Pavarësisht sulmeve që pamë mbrëmë, dinamika e luftës në Ukrainë është zhvendosur ndjeshëm në favor të Ukrainës në ditët e fundit, e cila tani është në një pozicion të ri pushteti. Rusia nuk mund të fitojë më ushtarakisht. Përveç kësaj, ekonomia e saj është dobësuar”, u shpreh kancelari gjerman.
Merz theksoi se, me kujdes dhe maturi, duket se po krijohen kushtet për një proces të ri diplomatik, duke e cilësuar këtë si një mundësi që duhet shfrytëzuar.
Ai iu referua gjithashtu pesë pikave të dakorduara së fundmi në Londër me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, duke sugjeruar se ato mund të shërbejnë si bazë për një nismë të re diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.
Kancelari gjerman përshëndeti edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke i cilësuar pozitive përpjekjet diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit dhe marrëveshjen kornizë të shpallur së fundmi nga të dyja palët.
Sipas Merz, samiti i G7 zhvillohet në një periudhë veçanërisht të trazuar për politikën globale, ndërsa liderët botërorë përballen me sfida të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike.
/abcnews.al/



