Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Moti i nxehtë, “kundërshtari” më i fortë i futbollistëve në Botëror

schedule17:59 - 15 Qershor, 2026

schedule 17:59 - 15 Qershor, 2026

Ndryshimet klimatike po rrisin gjasat për nxehtësi ekstreme në Kupën e Botës FIFA 2026, sipas analizës së organizatës kërkimore klimatike “Climate Central”, e cila zbuloi se temperaturat që tejkalojnë pragun prej 28 gradë Celsius, i cili ndikon në performancë, kanë të paktën 50 për qind gjasa të ndodhin në 49 nga 104 ndeshjet e turneut.

Studimi tregon se ndryshimet klimatike i rrisin këto gjasa me të paktën 10 pikë përqindjeje në 26 prej këtyre ndeshjeve. Kupa e Botës FIFA 2026 do të përfshijë 48 ekipe kombëtare, përfshirë Turqinë, që do të garojnë në 104 ndeshje në 16 qytete në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Hulumtimet tregojnë se temperaturat mbi 28 gradë Celsius mund të ndikojnë në performancën e lojtarëve si dhe në strategjitë dhe stilin e lojës së ekipeve.

Ndryshimet klimatike do të kenë ndikimin më të madh në ndeshjen Uruguaj-Spanjë. Ndeshja më e prekur nga ndryshimet klimatike parashikohet të jetë ajo mes Uruguait dhe Spanjës, e cila do të luhet në Guadalajara të Meksikës më 26 qershor. Probabiliteti që temperaturat të tejkalojnë 28 gradë Celsius në atë ndeshje është 70 për qind, një shifër që do të ishte 37 pikë përqindjeje më e ulët në mungesë të ndryshimeve klimatike.



Në ndeshjen Turqi-SHBA në stadiumin e Los Angelesit më 25 qershor, probabiliteti që temperaturat të tejkalojnë 28 gradë Celsius arrin në 49 për qind, ku ndryshimet klimatike kontribuojnë me 6 pikë përqindjeje në këtë shifër.

Për finalen në New Jersey më 19 korrik, probabiliteti që lojtarët të garojnë në temperatura që ndikojnë në performancë është 47 për qind, krahasuar me 30 për qind pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.

 Rritje e temperaturave në stadiume

Analiza shqyrtoi gjithashtu sa shpesh kanë ndodhur ditë me nxehtësi ekstreme në qershor dhe korrik gjatë dekadës së fundit (2016–2025), krahasuar me dekadën e mëparshme kur secili nga dhjetë qytetet pritëse kishte organizuar për herë të fundit ndeshje të Kupës së Botës.

Miami, i cili ishte mikpritës në vitin 1994, dhe Mexico City, mikpritës në vitin 1986, kanë përjetuar secili shtatë herë më shumë ditë me nxehtësi ekstreme në qershor-korrik gjatë dekadës së fundit krahasuar me periudhat e tyre të mëparshme si qytete pritëse.

“Duhet të vlerësohet në aspektin e shëndetit të lojtarëve, jo vetëm të performancës”

Në një intervistë për Anadolu, prof. dr. Abdullah Yener Ince, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë në spitalin “Acibadem Maslak” në Stamboll, tha se temperaturat në rritje janë ndër sfidat mjedisore më urgjente në futbollin e sotëm dhe duhet të vlerësohen si në aspektin e shëndetit të lojtarëve ashtu edhe të performancës së tyre.

Ai vuri në dukje se lojtarët ndonjëherë detyrohen të garojnë jo vetëm kundër kundërshtarëve, por edhe kundër kushteve atmosferike, një sfidë që bëhet shumë më e theksuar në turnetë verore.

“Lojtarët humbasin më shumë lëngje, ritmi i zemrës u rritet dhe rikuperimi bëhet më i vështirë. Ruajtja e vrapimeve me intensitet të lartë në fazat e fundit të ndeshjeve bëhet më e vështirë. Në një moment të caktuar, trupi fokusohet në ftohjen e vetes dhe jo në performancë”, tha ai.

Ince shton se numri i sprintimeve të përsëritura mund të bie me rritjen e temperaturave, përqendrimi bëhet më i vështirë për t’u ruajtur dhe madje edhe një vonesë prej një sekonde në marrjen e vendimeve mund të ndryshojë rezultatin e një ndeshjeje.

Ai thekson se shumë ekipe tani po përfshijnë përshtatjen ndaj nxehtësisë në planet e tyre për kampet përgatitore para turneve, pasi përshtatja e trupit me nxehtësinë mund të bëjë një ndryshim të konsiderueshëm në performancë.

“Moti i nxehtë mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve”

Ince tha se temperaturat e pritshme në Kupën e Botës do të ndikojnë si në stilin e lojës ashtu edhe në rezultatet.

“Disa ekipe e bazojnë lojën e tyre në ritëm të lartë dhe presion të vazhdueshëm ndërsa të tjera preferojnë të kontrollojnë lojën përmes posedimit të topit. Moti i nxehtë mund të ndikojë veçanërisht në modelet e lojës që kërkojnë shumë energji dhe kjo mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve”, tha ai.

Ai përfundoi duke theksuar natyrën në ndryshim të përgatitjes në futboll.

“Më parë flisnim vetëm për shkencën e stërvitjes dhe ushqimin ndërsa sot flasim edhe për kushtet klimatike. Në vitet e ardhshme, ekipet e suksesshme nuk do të kenë nevojë vetëm për lojtarë të mirë, por edhe për ekipe me shëndet dhe performancë të fortë, të afta për t’u përshtatur me kushtet mjedisore. Kjo nuk është më një luks, por është bërë pjesë e rëndësishme e lojës”, tha Ince.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!