Ky është momenti kur Moisi Habilaj I dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vite burg për veprën penale pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike u arrestua mbrëmjen e të shtunës në një lokal në Borsh.
Policia ka ndarë pamjet dhe përmes një njoftimi për shtyp thotë se arrestimi provizor I personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore është kryer me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Burime pranë hetimit thonë se në momentin e arrestimit, Habilaj ishte i maskuar me kapele dhe mjekër, në përpjekje për të shmangur identifikimin nga autoritetet. Ndërsa lokali ishte në pronësi të familjarëve të tij.
48 vjeçari banues ne Babicë të Vlorës është dënuar nga Gjykata e Katanias në Itali me 12 vjet , 2 muaj e 13 ditë burgim .
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit.
Ndaj Moisi Habilaj u ekzekutua masa e sigurisë arrest në burg caktuar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, 26 dhjetorin e vitit 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit policia thotë se arrestoi në flagrancë dhe Eduart Ahmeti 46 vjeç me banim në Sarandë si dhe u procedua në gjendje të lirë një 70 vjeçar italian për përkrahje të autorit në krim. Të dy personat ndodheshin në një tavolinë me Moisi Habilajn.



