Inteligjenca Artificiale (IA) do të bëhet pjesë e detyrueshme e kurrikulës në shkollat e mesme në Itali, ndërsa elementë bazë të saj do të prezantohen edhe në arsimin fillor përmes mësimit të algoritmeve dhe gjuhës së teknologjisë.
Lajmi u bë i ditur nga ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, gjatë një konference për shtyp në Palazzo Chigi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas Valditarës, përfshirja e Inteligjencës Artificiale në programet mësimore është pjesë e një reforme më të gjerë të sistemit arsimor, e cila synon modernizimin e metodave të mësimdhënies dhe përshtatjen e tyre me zhvillimet teknologjike.
“Pikërisht sepse një vizion i ri i matematikës është thelbësor në udhëzimet e reja për shkollat e mesme, ne kemi nisur revolucionin e matematikës me një rishikim të rëndësishëm të kurrikulës”, deklaroi ministri.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përgatitjes së stafit pedagogjik për sfidat e reja që sjell teknologjia.
Për këtë arsye, qeveria italiane ka akorduar 100 milionë euro për trajnimin e mësuesve, me fokus në parandalimin e rreziqeve digjitale, forcimin e lëndëve STEM dhe mësimdhënien e Inteligjencës Artificiale.
Reforma konsiderohet një nga ndryshimet më të rëndësishme në sistemin arsimor italian të viteve të fundit, duke synuar pajisjen e nxënësve me aftësitë e nevojshme për tregun e punës dhe shoqërinë digjitale të së ardhmes.



