Në Fushë Krujë, në mesin e kujtimeve që nuk I merr dot koha, qëndron Borizana.
Për banorët e saj, Borizana mbart një histori të veçantë, ndaj nuk e konsiderojnë thjesht si një fshat.
Në moshën 80-vjeçare, Murat Xhafa rikthehet shpesh në vendlindje. Edhe pse prej vitesh jeton në Tiranë, lidhjen me Borizanën nuk e ka shkëputur kurrë.
“Borizana është vend historik 2200-vjeçar. Është vendbanim i shekullit të tretë dhe të dytë para erës sonë. Nga hulumtimet që kam bërë, këtu kanë jetuar fiset ilire taulante.”
Në rrëfimin e tij, historia nuk ndahet nga njerëzit. Për Muratin, Borizana është mozaiku i brezave që kanë jetuar, punuar dhe ndërtuar jetën në këtë vend.
Vetë ai i përket brezit që e jetoi nga afër periudhën e kooperativës bujqësore. Fillimisht brigadier, më pas drejtues në Borizanë, Mirditë e Krujë, ai kujton vitet kur puna në tokë ishte ritmi që përcaktonte jetën e komunitetit.
“1966 mbarova shkollën e mesme. Më pas isha brigadier. Në vitin 1973 shkova në shkollë të lartë dhe punova në Burizanë deri në vitin 1983. Pastaj vazhdova në Mirditë dhe më pas në Krujë.”
Në qendër të kujtimeve të banorëve qëndron një emër: Muharrem Sefa. Njeriu që për dekada drejtoi kooperativën dhe që, sipas bashkëkohësve të tij, ndikoi në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të zonës.
“Muharrem Sefa, Qazim Laçi dhe Hasan Xhafa, ajo pesëshe drejtuesish, i dhanë një zhvillim të jashtëzakonshëm Borizanës.”
Por për ata që e njohën nga afër, Muharrem Sefa nuk mbahet mend vetëm për drejtimin.
“Muharremi ka qenë njeri i përsosur. Nuk donte të dinte për orën apo lodhjen. Ishte gjithmonë në punë. Kooperativën e çoi ndër më të mirat në Republikë.”
Dhe rezultatet, thonë veteranët, ishin të prekshme.
“Janë prodhuar drithëra buke, grurë, misër, luledielli, sera, perime. Arritëm deri në 175 lekë ditën e punës. Kemi qenë shumë mirë.”
Por Borizana nuk u bë e njohur vetëm për prodhimin bujqësor. Në qendrën e saj u ngrit një nga institucionet kulturore më të veçanta të zonës.
“Pallati i Kulturës u prit jashtëzakonisht mirë. Ishte këmbëngulja e Muharrem Sefës. Vinte estrada, vinin artistë, kishte aktivitete të vazhdueshme. Burizana ishte gjallëruar.”
“Ky pallat kishte rreth 600 vende. Kanë dhënë shfaqje Teatri Popullor, ansamble nga Kosova dhe artistë të njohur.”
Edhe sot, godina vazhdon të qëndrojë si një dëshmi e kohës kur kultura mblidhte njerëzit nga i gjithë rrethi. Por ajo që veteranët përmendin më shpesh nuk janë ndërtesat dhe as shifrat e prodhimit. Është bashkëjetesa.
“Borizana është vendi me marrëdhënie unike mes fiseve, lagjeve dhe komunitetit. Kemi respekt të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin dhe për besimin fetar. Kemi pesë teqe, kemi kisha. Historia e Burizanës lidhet me të gjitha periudhat dhe me të gjitha besimet që kanë bashkëjetuar këtu.”
Ndërsa kujtojnë të kaluarën, veteranët nuk flasin me nostalgji për pushtetin apo privilegjet. Ata flasin për njerëzit. Për respektin, për punën dhe për lidhjen me vendin ku u rritën.


