Avokati Idajet Beqiri ka kërkuar një angazhim të SPAK për të hetuar rrethanat që lidhen me çështjen e Zvërnecit, duke theksuar se situata e krijuar përmban elementë që duhet të shqetësojnë organet e drejtësisë.
Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Beqiri tha se protesta po zhvillohet në një moment të ndjeshëm për vendin, në një kohë kur Shqipëria po tërheq vëmendje të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare për investimet e huaja.
“Mënyra se si u krijua situata do ta shqetësonte organin e akuzës për të parë se çfarë problemesh ka në këtë mes. Këta njerëz janë pronarët e ligjshëm, të cilëve u është marrë prona, dhe kur krijohet një situatë e tillë komplekse, nis një çështje që duhet hetuar. Kjo protestë bëhet në një kohë kur jemi në një situatë shumë komplekse dhe të rënduar. Shqipëria, duam apo nuk duam ta pranojmë, po përjeton prurje të jashtëzakonshme investimesh. Projekte që mund t’i sjellin vendit miliarda dollarë do të krijonin xhelozi edhe në vende shumë të zhvilluara, e aq më tepër te ata që nuk duan suksesin e Shqipërisë”, deklaroi Beqiri.
Megjithatë, ai theksoi se pjesa më e madhe e protestuesve janë të motivuar nga çështja e pazgjidhur e pronave dhe jo nga interesa të tjera.
“Protestuesit e vërtetë janë nisur më shumë nga plaga e pronës. SPAK duhet të futet seriozisht në këtë çështje”, përfundoi avokati.


