Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Teuta, mbretëresha e deteve” – Filmi që rikthen në jetë figurën e mbretëreshës ilire që sfidoi romakët

schedule13:27 - 3 Qershor, 2026

schedule 13:27 - 3 Qershor, 2026

Një figurë legjendare e historisë shqiptare rikthehet në ekran përmes një projekti artistik që ndërthur dokumentarin me filmin artistik. Regjisorja dhe skenaristja Suela Bako sjell filmin e shkurtër historik “Teuta, Mbretëresha e Deteve”, një dokufiction kushtuar mbretëreshës ilire Teuta, sundimtares së viteve 230-227 para erës sonë. I ndërtuar si një rrëfim që bashkon historinë me emocionin, filmi synon të afrojë brezat me një prej figurave më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar. Pas muajsh të tërë kërkimi, shkrimi, xhirimesh dhe montazhi, projekti ka marrë formë si një udhëtim artistik dhe shpirtëror në gjurmët e mbretëreshës ilire.

Për Suela Bakon, realizimi i këtij filmi ka edhe një dimension shumë personal.
“Teuta është edhe emri i nënës sime dhe për këtë arsye ky projekt ka një vlerë të veçantë emocionale për mua,” shprehet ajo.
Në rolin e Teutës vjen Kaltrin Zalla, studente e Medias dhe Komunikimit, e cila e konsideron këtë rol një sfidë të madhe artistike dhe personale.

“Ishte një përgjegjësi e madhe të luaja një figurë kaq madhështore si Teuta. U përfshiva plotësisht në rol dhe e përjetova çdo moment të tij,” tregon Kaltrini.
Projekti ka sjellë edhe një bashkëpunim të veçantë familjar. Për herë të parë, Kaltrin Zalla punon në një film së bashku me të dy prindërit e saj, Suela Bako dhe aktorin Romir Zalla.



“Ky ishte një trekëndësh shumë interesant pune. Kuptova sa mirë kuptohemi profesionalisht me mamin dhe sa shumë disiplinë kërkon një projekt i tillë,” rrëfen ajo.
Paralelisht me historinë e mbretëreshës ilire, filmi sjell edhe personazhin e Teas, një studente e arkeologjisë që nis një kërkim për figurën e Teutës. Teksa ndjek gjurmët e saj në histori, ajo përballet me zbulime që shkojnë përtej librave dhe fakteve, duke e kthyer udhëtimin në një proces të rizbulimit të vetvetes dhe identitetit të saj.

Filmi prek gjithashtu temën e kujtesës historike dhe lidhjes së pashkëputshme me vendlindjen. Kjo frymë vazhdon edhe në projektin “Më çoni në qafë të botës të shoh Çamërinë”, një rrëfim njerëzor dhe historik për mallin, kujtesën dhe lidhjen e fortë me trojet e origjinës. “Teuta, Mbretëresha e Deteve” nuk është thjesht një film historik. Ai është një udhëtim emocional nëpër identitet, trashëgimi dhe kujtesë, një përpjekje për të sjellë pranë publikut historinë e një gruaje që vazhdon të frymëzojë edhe pas më shumë se dy mijë vjetësh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!