Nuk është numri 1 në botë, por duket njeriu I momentit.
Marta Kostiuk, tenistja tepër në formë nga Ukraina, arriti në gjysmëfinale të Grand Slemit “Rolan Garos” në Paris, duke hedhur kandidaturën për titullin e saj të madh në karrierë.
Vajza e lindur në Kiev fitoi derbin ndaj patriotes së saj, Elina Svitolina, në një përballje që ndoshta nuk e kishte dashur, por që natyrisht ishte e pashmangshme.
Njëzetetrevjeçarja ia doli 2-1 me rezultatin e seteve, 6-3, 2-6 e 6-2, duke treguar më shumë forcë fizike dhe psiqike sesa rivalja.
E habitshme sesi kanë ardhur punët, pasi Svitolina jo vetëm që është më e madhe në moshë sesa ukrainasja tjetër, duke qenë 31 vjeç, e madje në vendin e 7-të në renditjen botërore të tenisit të femrave.
Kostiuk është vetëm e 15-ta.
Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar aspak të rritet e të synojë trofeun në Paris, e pse jo t’i afrohet tenisteve që janë të parat si Sabalenka, Ribakina apo Shviontek.
Madje, ukrainasja mundi në të tetat e finaleve pikërisht polaken Shviontek që ishte favorite.
Tashmë, në gjysmëfinale e pret një rivale e njohur, pse jo një “armike”.
Përballë Martës do të jetë rusja Mira Andrejeva që kaloi në çerekfinale rumunen Kërstea madje fare lehtë me setet 6-0 e 6-3, ndërsa është numri 6 në botë.
Dy kundërshtaret e ashpra, Kostiuk dhe Andrejeva, njëra ukrainase e tjetra ruse, nuk pritet t’i japin dorën njëra-tjetrës, në një atmosferë të tensionuar për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, luftë që vazhdon që nga fillimi I vitit 2022.


