Analistët Ergys Mërtiri dhe Roland Bejko kanë shprehur kritika për gjendjen e opozitës në vend, duke argumentuar se mungesa e një alternative të besueshme politike po ndikon në klimën politike dhe demokratike në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Ergys Mërtiri u shpreh se vendi ndodhet përballë një mungese të theksuar alternativash politike, pavarësisht pakënaqësive që ekzistojnë ndaj qeverisë.
“Vendi ka mbetur pa asnjë alternativë. Në këto kushte duhet të ketë një alternativë. Njerëzit dalin në shesh, duan dorëheqjen e Ramës dhe nuk ka një alternativë. Rama ka kontribuar që ai fat të jetë kështu”, deklaroi Mërtiri.
Nga ana e tij, Roland Bejko u ndal te zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke argumentuar se kjo forcë politike nuk po arrin të prodhojë figura alternative për shkak të mënyrës së organizimit dhe drejtimit të saj.
Sipas Bejkos, edhe partnerë ndërkombëtarë kanë shprehur interes dhe simpati për emra të caktuar brenda Partisë Demokratike, por këta emra nuk kanë hapësirë për t’u afirmuar politikisht sa kohë që partia mbetet e dominuar nga lidershipi aktual.
“Gjermanët nuk e kanë fshehur, edhe në bisedat private që kanë pasur, simpatinë për një apo tjetër emër. Nuk është vetëm Jorida dhe Gazi, janë edhe të tjerë. Doktori nuk është se nuk i di. Këto emra do ta kenë të vështirë. Sa të jenë përkrah Sali Berishës nuk kanë asnjë perspektivë në PD, sepse ajo është një parti personale e Berishës. Në këtë fazë të gjithë janë të qartë se ajo parti, sa kohë të ketë Berishën, nuk do të ketë asnjë emër si alternativë”, u shpreh Bejko.
/abcnews.al/


