Atentati në drejtim të kreut të Bashkisë së Lushnjes ishte i mirëmenduar.
Në fillim u raportua si një atentat me armë zjarri por, sipas policisë, në vendngjarje u sekuestruan vetëm mbetje të një granate sulmuese.
Autori i dyshuar Gëzim Saraçi iu drejtua ambienteve të brendshme të bashkisë në orën 08:15 minuta të mëngjesit të së martës. Vetëm pak çaste më herët, kishte mbërritur në zyrë, kreu i Bashkisë Fatos Tushe. Personi i vetëm që ka parë gjithçka ishte sekretarja, Erisa Qalliu që ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia ka kryer kontrollet në dy banesat e Saraçit, por pa rezlultat.
Pista kryesore që po heton grupi hetimor, është ajo e borxheve të pashlyera. Dyshohet se, Gëzim Saraçi ka qenë një nga personat më të ngushtë të kreut të Bashkisë së Lushnjes. Edhe në të kaluarën ndërmjet Saraçit dhe Tushes ka pasur konflikte, por ky i fundit nuk ka bërë denoncim në polici. Burime konfidenciale konfirmojnë se, Saraçi ka qenë një njeri problematik me ligjin në shtetin Italian i hetuar si pjesëtar i një bande kriminale. Vetë kreu i Bashkisë së Lushnjes, ka pohuar për grupin hetimor, njohjen që ka pasur me Saraçin duke shtuar se është implusiv por, nuk e mendonte që ish-punonjësi i tij të arrinte deri në këtë pikë. Pak ditë nga atentati i fundvitit, personi i shpallur në kërkim, ngulmonte të rikthehej si punonjës administrate në Bashkinë e Lushnjes por ka marrë përgjigje negative nga kreu i institucionit.
Për të zbardhur ngjarjen janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë si brenda bashkisë ashtu edhe jashtë saj. Ndërkohë u morën në pyetje e më pas u lanë të lirë edhe 10 punonjës të sigurisë së bashkisë si edhe personeli që ishte në turn./abcnews.al