Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vlorë, shemben ndërtime pa leje/ Sezoni turistik, fadromat aksion në Qeparo, Llogara e Himarë

schedule14:08 - 29 Maj, 2026

schedule 14:08 - 29 Maj, 2026

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe goditjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të jugut, duke ndërhyrë në Qeparo, Llogara dhe Himarë, ku janë shembur objekte të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Në Llogara, në njësinë administrative Orikum, është shembur një objekt njëkatësh me sipërfaqe rreth 53 metra katrorë, i ndërtuar me muraturë dhe i mbuluar me soletë. Sipas të dhënave, objekti rezultonte i skualifikuar më herët nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Ndërhyrja është shtrirë edhe në zonën pranë plazhit të Filikurit në Bashkinë e Himarës, ku është shembur një strukturë masive me mur guri dhe betoni, me gjatësi rreth 290 metra dhe lartësi 2 metra. Objekti, sipas autoriteteve, ishte ndërtuar pa leje dhe zinte një sipërfaqe që prekte hapësira të konsideruara publike në vijën bregdetare.



Po ashtu, në zonën e Qeparosë është ndërhyrë për shembjen e një objekti dykatësh me një sipërfaqe totale prej 264 metrash katrorë, i cili rezultonte i ndërtuar në mungesë të lejes së ndërtimit.

Aksioni i IKMT-së në jug vjen si pjesë e kontrolleve të intensifikuara për ndalimin e ndërtimeve informale në zonat turistike, ku prej muajsh janë shtuar verifikimet në terren.

Aksioni vjen pak ditë pas një aksioni të policisë në jug ku u arrestua kryeinspektori i IMT Dorian Hoxha, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar ndërtime pa leje.

Veç këtij rasti, ndërtimet pa leje shkrinë komisariatin e Sarandës, me kupolën drejtuese të arrestuar nën dyshimin se përmes rryfshetit, kanë lejuar subjekte të lidhura me grupe kriminale të investojnë në një plazh të paligjshëm privat në vijën bregdetare të Sarandës/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!