Tre letra mes Hashim Thaçit dhe kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti janë dashur në mënyrë që ata të dakordësohen për përcaktimin e një ore që të takohen.
Kurti e refuzoi Thaçin disa herë deri ditën e sotme.
Thaçi i dërgoi dy letra brenda një dite Albin Kurtit, e që të dyja këto u refuzuan me arsyetimin se lideri i LV-së nuk ndodhet në Kosovë.
Kështu presidenti i vendit vendosi që të provojë edhe njëherë që të takojë Kurtin, duke zgjedhur ditën e fundit të vitit për t’u parë me të.
Mirëpo, edhe kjo kërkesë e Thaçit u kthye negativisht nga kreu i LV-së, Albin Kurti.
Duke ia uruar vitin e ri, Kurti kërkoi nga presidenti që të takohen me datë 6 janar.
Kësaj thirrje iu është përgjigjur sot pozitivisht i pari i shtetit. Në paraqitjen e fundit për këtë vit para gazetarëve, Thaçi ka thënë se mund të takohet me Kurtin të hënën.
Ai megjithatë, për këtë takim e ka caktuar orën 15:00 për t’u parë me liderin e LV-së.
“E mirëpres që pas ftesës së tretë, Kurti ka pranuar ftesën time. Në datën që ka kërkuar Kurti, në orën 15:00 do ta pres. Ne nuk mund të sillemi me hatrime. Kështu që, mirësevjen në ditën që ka propozuar”, ka thënë Thaçi.