Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“10 ditë e 7 orë fushatë”/ Ferizaj, Gjakova dhe Prishtina “presin” tubimet e para

schedule17:21 - 28 Maj, 2026

schedule 17:21 - 28 Maj, 2026

Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur këtë të enjte dhe do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit.

Subjektet politike garuese kanë paralajmëruar aktivitetet hapëse në disa qytete të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës me udhëheqëse të listës Vjosa Osmanin do ta nis fushatën në orën 18.00 në sallën 1 tetori në Prishtinë.



Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj, hap fushatën zgjedhore nga Palestra Sportive Bill Clinton në Ferizaj në orën 19:30, ndërsa vetëm pak metra më poshtë në orën 20.00 nis fushatën edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërsa Aleanca ka zgjedhur Gjakovën, një nga bastionet tradicionale të tyre për të hapur fushatën në orën 19.45. Progami i Aleancës është i bazuar në tri shtylla kryesore: siguri/energji dhe zhvillim.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këtë proces zgjedhor janë certifikuar 21 subjekte politike, ndërsa në garë për ulëse në Kuvend janë gjithsej 902 kandidatë për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kohëzgjatja e fushatës është e përcaktuar me ligj dhe do të zhvillohet për 10 ditë e shtatë orë.

Ai ka rikujtuar se, bazuar në ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023, fushata përmbyllet në momentin kur hapen qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve duke nënkuptuar se e shtuna e 6 qershorit nuk është heshtje zgjedhore.

Kosova është kështu vetëm 10 ditë larg zgjedhjeve të treta kombëtare në 16 muaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!