TIRANË- Konferenca Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e mbajtur më 26 maj në Bruksel, shënoi nisjen e fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.
E ftuar në emisionin “News Line”, ekspertja e integrimit Nirvana Deliu e cilësoi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke theksuar se Bashkimi Evropian ka vlerësuar progresin e bërë nga vendi.
Sipas saj, tashmë nis puna konkrete për mbylljen e kapitujve, ndërsa procesi natyrisht do të shoqërohet dhe me sfida.
Deliu nënvizoi se BE ka njohur progresin e Shqipërisë, por theksoi se fokusi tani do të jetë te zbatimi konkret i reformave dhe rezultatet e prekshme.
“Ishte një moment i rëndësishëm. U vendos theksi që Shqipëria po bën një punë të mire dhe që janë arritur objektivat për të hyrë në këtë fazë. Morëm në dorë pozicionin negociues të BE për kapituj 23 dhe 24. Tashmë fillon puna që të mbyllim kapitujt.
Mbetet për t’u parë se si do ecim. Natyrisht që procesi ka sfida. Tashmë me kriteret përmbyllës, tani gjuha është të këtë rezultate në të gjitha politikat dhe fushat.
Tashmë është implementimi, por edhe se si do të zbatohen dhe se si kjo më pas do të përkthehet në rezultate ashtu siç e kërkon Bashkimin Evropian. BE e ka vlerësuar progresin që ka bërë Shqipëria”, tha ajo./abcnews.al


