Imagjino të të ofrojnë një punë në Europë me rrogë gati 8 mijë euro në muaj. Në kokën tënde menjëherë nis të bësh llogaritë sa do fitosh e sa do kursesh e ku do të shkosh me pushime. Por sapo hyn shteti në mes me taksat, historia ndryshon komplet.
Në disa vende të Europës do të të mbeteshin pothuajse të gjitha paratë në xhep. Në të tjera, gati gjysma e rrogës zhduket para se paga të të vijë në bankë. Diferencat e taksimit të pagës bruto prej 100 mijë eurosh në vit në 31 vendet europiane është e madhe.
Bullgaria rezulton surpriza më e madhe e listës. Atje, nga 100 mijë euro bruto, një punonjësi i mbeten në dorë rreth 86,930 euro neto. Pra shteti merr relativisht pak në taksa dhe kontribute krahasuar me pjesën tjetër të Europës.
Edhe Estonia, Çekia, Malta dhe Qiproja renditen mes vendeve ku pagat “preken” më pak nga taksat, me mbi 70 mijë euro që mbeten neto. Krejt ndryshe është panorama në Belgjikë. Aty, nga 100 mijë euro në vit, në xhep mbeten vetëm rreth 50 mijë euro. Praktikisht gjysma e pagës ikën direkt për tatime, sigurime dhe kontribute të tjera. Belgjika rezulton vendi me barrën më të rëndë fiskale në Europë për këtë nivel page.
Edhe Danimarka dhe Suedia janë shumë pranë, me taksa kaq të larta sa shteti merr pothuajse aq sa fiton vetë punonjësi. Mes ekonomive më të mëdha europiane, Britania e Madhe rezulton më “miqësorja” për pagat e larta.
Nga 100 mijë euro bruto, në Britani mbeten rreth 70 mijë euro neto. Në Francë dhe Spanjë mbeten mbi 60 mijë euro, ndërsa Gjermania dhe Italia zbresin ndjeshëm më poshtë. Në Itali, për shembull, nga 100 mijë euro në vit mbeten vetëm rreth 56 mijë euro neto.
Vendet e Europës Lindore kanë zakonisht sisteme më të thjeshta dhe taksa më të ulëta, ndaj punonjësit mbajnë një pjesë më të madhe të pagës. Në anën tjetër, vendet nordike dhe ato të Europës Perëndimore kanë taksa progresive shumë më të larta për të ardhurat e mëdha, si edhe kontribute sociale më të rënda.
Në disa shtete europiane, tatimi për pagat e larta arrin deri në 60%. Megjithatë, në këtë anlizë krahasimore duhet thënë edhe një tjetër detaj: një pagë prej 100 mijë eurosh në vit mbetet shumë mbi mesataren europiane.
Sipas të dhënave të OECD, Zvicra është i vetmi vend në Europë ku paga mesatare vjetore kalon pragun e 100 mijë eurove.


