Stefano Pioli, trajneri i Milanit, ka dhënë një intervistë në fund të vitit dhe pranon që mbyllja e kampionatit ishte një katastrofë. Humbja 5-0 me Atalantën nuk ka nevojë për shumë komente, por ai është optimist se me afrimin e Zlatan Ibrahimovic gjërat do të ndryshojnë.
“E kemi mbyllur vitin në mënyrën më të keqe të mundshme. Duhet të kemi forcën dhe bindjen për t’u ringritur. Afrimi i Ibrahimovic na motivon edhe më shumë për të qenë pozitivë. Ai ka një dëshirë të madhe për të fituar dhe kjo lëvizje do të jetë një stimul për të gjithë. Kontributi i tij do të jetë i rëndësishëm për ekipin”, thotë Pioli.
PIATEK – Trajneri i kuqezinjve komemtnon edhe gjendjen e sulmuesit polak: “Viti 2018 ishte fantastik për Piatek. Duhet kuptuar diçka: u ndodh të gjithë sulmuesve të kenë një sezon ku shënojnë gjithmonë dhe në sezonin pasardhës të hasin vështirësi. Tani është në gjendje të mirë, ndryshe nga momenti që unë mbërrita në ekip. Paraqitjet e tij kanë qenë pozitive”.
LEAO DHE THEO HERNANDEZ – Sulmuesi brazilian dhe mbrojtësi francez janë dy ndër lojtarët që te Milani i shohin si të perspektivës. “Leao është i ri, me pak përvojë. Ka luajtur vetëm pak muaj në ekipin e parë. Ka shumë potencial: teknikë dhe fizik. Ka nevojë për kohë që të zhvillojë potencialin e tij. Theo Hernandez? Ai ka një fuqi mbresëlënëse dhe një teknikë shumë të mirë. Mund të bëhet një ‘top’ lojtar në pozicionin e tij. Po punon që të ndodhë diçka e tillë”, komenton Pioli.
MË TË MIRËT – Mes të tjerash Pioli vlerëson dy trajnerët më të mirë italiane, ndërkohë që vlerëson maksimalisht klubin e Atalantës.”Mendoj se Ancelotti dhe Allegri janë trajnerët italianë më të mirë. Sa i takon ekipit të vitit, mendoj se Atalanta. Janë një klub që po ruajnë vazhdimësinë, po zbulojnë shumë lojtarë dhe kanë rezultate të pabesueshme, sikurse kualifikimi në Champions League. Ky është një hap i rëndësishëm dhe puna e Gasperinit duhet të shpërblehet dhe lavdërohet. Kjo pasi po bën gjëra të shkëlqyeshme”, është shprehur Pioli. /abcnews.al