Nuk është shumë i vjetër, edhe pse duket si ndonjë plak i futbollit. Elseid Hysaj i ka arritur thuajse të gjitha në karrierë, duke qenë rekordmen i ndeshjeve në kombëtaren shqiptare, dhe po ashtu rekordmen i ndeshjeve ndër lojtarët shqiptarë në Serinë A, dhe në Itali në përgjithësi.
Mbrojtësi i krahut, që u largua fare fëmijë nga Shqipëria, e kaloi të gjithë karrierën e deritanishme në Apenine, e ndoshta ka ardhur momenti që të largohet prej aty.
Kjo nuk është e sigurt, por e sigurt është që Hysaj e ka mbyllur me Lacion. Kapiteni i dytë i kombëtares e lajmëroi vetë këtë me një mesazh në Instagram, duke shprehur gjithë krenarinë dhe kënaqësinë që mbajti në trup fanelën bardhekaltër për 5 sezone.
Edhe klubi lacial e përshëndeti dhe e falenderoi me mesazhin në faqen e vet zyrtare në rrjetet sociale. Për kryeqytetasit luajti 131 ndeshje gjithsej, dhe si mbrojtës shënoi pak, dy herë, si dhe shërbeu 4 asiste.
Futbollin profesionist e nisi tek Empoli, fillimisht në Serinë B, e më pas në A, duke qenë me trajnerin Mauricio Sarri që ka qenë gjithmonë si një baba për të.
Me Sarrin luajti edhe tek Napoli, ku u aktivizua për 6 sezone, duke qenë në fushë shumë më rregullisht, në 223 ndeshje, e duke u dalluar sidomos me 10 asiste, por edhe me ndonjë gol.
Në total, Hysaj është rekordmen i ndeshjeve të kuqezinjve në elitën italiane me 315 ndeshje, ndërsa në total në futbollin profesionis në Apenine luajti 463 ndeshje.
Shifra që nuk kanë nevojë për koment. Tashmë, pritet të shihet se ku do ta vazhdojë të ardhmen, por besohet jashtë Italisë./abcnews.al


