Shërbimet e patrullës së kufirit të gjelbër, në Stacionin e Policisë Kufitare Qafë-Thanë kanë bërë të mundur kapjen e një 53 vjeçari, i cili akuzohet për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Burri kishte gjetur një mënyrë origjinale për të dalë nga Shqipëria duke përdorur pasaportën e një personi tjetër, por që plani nuk ka funksionuar.
Ai ishte shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 03.12.2019, në lagjen “Isa Boletini”, në Vlorë, ku dyshohet se ka goditur me thikë një person.
Vëmendja e policit të turnit ka bërë fillimisht të dyshojë tek burri duke kontrolluar edhe më tej të dhënat e tij, gjë që ka çuar në zbulimin e gjithçkaje.
Njoftimi i plotë i policisë
Kapet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja me dashje mbetur në tentativë”, i cili u kap duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, me pasaportën që i kishte vjedhur një shtetasi tjetër.
• Gj.Ç., 53 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 03.12.2019, në lagjen “Isa Boletini”, në Vlorë, ku dyshohet se ka goditur me mjete prerëse shtetasin E.Sh.
Punonjësit e policisë kufitare gjatë patrullimit të kufirit të gjelbër, kanë kapur shtetasin Gj.Ç., ku gjatë kontrollit fizik të të cilit iu gjet një pasaportë me gjeneralitetet e shtetasit A.A, 55 vjeç, banues në Vlorë, të cilën ia kishte vjedhur disa ditë më parë këtij të fundit, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.
Veprimet e mëtejshme proceduriale u kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.