Bashkimi Europian i ka dhënë një tjetër mbështetje Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Këshilli i Unionit miratoi paketën e tretë të asistencës për Shqipërinë në kuadër të “European Peace Facility”, me vlerë 21 milionë euro, duke e çuar mbështetjen totale në 49 milionë euro.
Kjo paketë përfshin mjete të blinduara të lehta, mjete taktike dhe inxhinierike, si edhe trajnim dhe mbështetje operacionale për Forcat e Armatosura Shqiptare.
Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, komentoi vendimin.
“Shqipëria është një partner i ngushtë dhe i besueshëm në politikën e jashtme dhe të sigurisë, një kontribuues aktiv në operacionet e BE-së dhe një aleat i përkushtuar i NATO-s. Forcimi i bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Shqipërinë përforcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Europë.”, tha ajo.
Kjo mbështetje është një vlerësim konkret për seriozitetin, besueshmërinë dhe rolin aktiv të Shqipërisë krah aleatëve dhe partnerëve europianë në siguri dhe mbrojtje./abcnews.al


