Ministri i Brendshëm, Besford Lamallari, paralajmëroi masa të forta ndaj çdo punonjësi shtetëror që shkel ligjin apo abuzon me detyrën në lidhje me ndërtimet pa leje.
Gjatë një konference për mediat, Lamallari theksoi se operacioni i zhvilluar në Sarandë ishte një mesazh i qartë për të gjithë ata që “mbyllin sytë” përballë paligjshmërisë, duke nënvizuar se përgjegjësia është individuale dhe se shkelësit “llogaritë nuk i kanë vetëm me vendin e punës, por me drejtësinë”.
Ministri bëri me dije se vetëm gjatë muajit prill janë vendosur 67 masa administrative me një vlerë prej 120 milionë lekësh, ndërsa aksioni kundër ndërtimeve pa leje do të vijojë pa kompromis.
“Mesazhi ishte i qartë ditën e djeshme, ku bërë me dije, se përgjegjësia është individuale, e njëjta vigjilencë dhe përgjegjësi kërkohet nga të gjitha instancat shtetërore, kjo ishte arsyeja se përse ne çuam në marrjen e masave dhe i dërguam përpara drejtësisë për abuzimin me detyrën për ndërtime pa leje. Ky ishte një mesazh për të gjithë ata që kërkojnë të përfitojnë mbi interesin kombëtar duke mbyllur sytë.
Operacioni në Sarandë ka bërë që kushdo që mbyll sytë ndaj paligjshmërisë dhe aq më keq që bëhet palë ka përgjegjësi të qarta pa kompromis, llogaritë nuk i kanë vetëm me vendin e punës, por me drejtësinë. Për muajin prill janë 67 masa administrative, me një vlerë të konsiderueshme në 120 milionë lekë. Kjo do të vazhdojë për këdo që shkel ligjin”, u shpreh ministri Lamallari./abcnews.al


