Një statujë e lashtë që për dekada është konsideruar si simbol i perëndeshës romake të urtësisë dhe luftës, Minerva, mund të fshehë një të vërtetë krejt tjetër: ajo nuk përfaqëson një hyjni romake, por një grua ilire me rrënjë që lidhen me trojet shqiptare. Bëhet fjalë për Pirustian, figurën që sipas kërkimeve të fundit të studiuesve italianë, është ngatërruar për shekuj me Minervën dhe që sot po rikthehet si simbol i pranisë ilire në zemër të Romës së lashtë.
Pirustia besohet se i përkiste fisit ilir të Pirustëve, një ndër fiset më të njohura që jetonin në zonat malore të Ilirisë, territore që sot përfshijnë veriun e Shqipërisë dhe Malin e Zi. Ajo përshkruhet si një grua fisnike, e fortë dhe dinjitoze, me veshje që shumë studiues shqiptarë i krahasojnë me ato të grave mirditore. Për shumëkënd, kjo statujë është më shumë se një figurë artistike, ajo shihet si dëshmi e identitetit dhe trashëgimisë ilire në qytetërimin romak.
Por historia nuk ndalet këtu. Një tjetër figurë misterioze që lidhet me origjinën ilire është Epikaria, gruaja që sfidoi një nga perandorët më famëkeq të historisë – Neronin. E njohur në histori si Epicharis, ajo u bë pjesë e komplotit kundër tiranit romak në një periudhë terrori dhe persekutimesh. Kur plani u zbulua, Epikaria u arrestua dhe iu nënshtrua torturave çnjerëzore për të treguar emrat e bashkëpunëtorëve. Por ajo nuk foli.
Historiani romak Taciti shkruan se Epikaria tregoi më shumë guxim se shumë senatorë dhe burra të fuqishëm të Romës. Sipas disa interpretimeve historike dhe traditës shqiptare, ajo mund të ketë pasur origjinë ilire dhe emri i saj lidhet me zonën e Pukës në kohën romake, edhe pse kjo mbetet ende e paprovuar plotësisht nga dokumentet zyrtare.
Dy gra, dy histori të jashtëzakonshme dhe një pyetje që ndez debat: a kanë qenë Pirustia dhe Epikaria figura iliro-shqiptare që lanë gjurmë në historinë e Perandorisë Romake? Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, kërkuesja në arkivat e Vatikanit, Nusha Zhuba, sjell detaje dhe dokumente që mund të ndryshojnë mënyrën si e shohim historinë tonë./abcnews.al


