Një sulm me dron shkaktoi zjarr në një central bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një kohë kur progresi duket se ka ngecur në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Iranin dhe për të rinisur transportin detar në Gjirin Persik.
Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk ia atribuuan askujt fajin sulmit dhe nuk pati asnjë pretendim të menjëhershëm për përgjegjësi. Emiratet e kanë akuzuar më parë Iranin për sulmin ndaj objektivave të tyre të energjisë në atë që e kanë quajtur një përshkallëzim të konfliktit në rajon.
Droni goditi një gjenerator elektrik jashtë perimetrit të brendshëm të Centralit Bërthamor Barakah. Nivelet e sigurisë radiologjike dhe operacionet nuk u prekën dhe nuk pati të lënduar.
Ndërkohë përpjekjet diplomatike për fundin e konfliktit kanë mbetur pezull. Më shumë se pesë javë pasi hyri në fuqi një armëpushim i brishtë në konflikt, kërkesat e SHBA dhe Iranit mbeten shumë larg njëra-tjetrës pavarësisht përpjekjeve për të rihapur ngushticën, rrugën më të rëndësishme të transportit detar në botë për naftë dhe gaz.
Uashingtoni i ka bërë thirrje Teheranit të çmontojë programin e tij bërthamor dhe të heqë kontrollin e tij mbi ngushticën. Irani ka kërkuar kompensim për dëmet e luftës, fundin e bllokadës amerikane të porteve iraniane dhe ndalimin e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë në Liban.


